Ndërlidhjet

Shqiptarët kërkojnë revidim të teksteve shkollore


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve shqiptarë në Maqedoni, Nuhi Dardhishta, vlerëson se revidimi i pjesshëm i teksteve shkollore ku ishin apostrofuar gabime të shumta teknike në më shumë libra, ndërkohë që në librat e historisë ashtu siç ishte rasti me enciklopedinë maqedonase, fyhet kombi shqiptar duke e emërtuar si popull i egër, i zbritur nga malet, nuk kontribuon në përmirësimin e cilësisë së arsimimit të gjeneratave të reja ngase i mësojnë me të pavërteta dhe urrejtje.

Dardhishta kërkon që të bëhet revidimi i të gjitha teksteve shkollore të arsimit fillorë dhe të mesëm brenda një viti, duke inkorporuar sistemin programit arsimor të vendeve të zhvilluara të Evropës.

Këtë vit është aprovuar revidimi i teksteve të reja për klasën e gjashtë të arsimit fillor. Mbetet që vit pas viti tekstet të përmirësohen. Por ne kërkojmë që Brenda një viti të revidohen, të ndryshohen të gjitha tekstet shkollore, që kur fëmijët e të gjitha gjeneratave, jo vetëm klasat e gjashta, të pajisen me librat e ri. Të gjithë duhet të kenë libra pa gabime dhe me të vërteta për të gjitha lëndët mësimore” thekson Dardhishta.

Ministri i arsimit dhe shkencës, thotë se çështja e revidimit të teksteve shkollore është proces i vështirë, andaj, për eliminimin e mangësive dhe janë angazhuar ekspertët më eminent të arsimit, por për të arritur efektin e dëshiruar nevojitet punë dhe kohë.

Për mua është një sinjal që më lë të besoj se më ndryshimin dhe plotësimin e ligjit që tekstet shkollore t’i aprovojë Komisioni Nacional për tekste shkollore, si organ i pavarur dhe jo nga vet ministri i resorit si dhe autor i tekstit, të jetë vetëm ai që sapo 10 vite të plota e ligjëron atë lëndë, nxënësit do të mësojnë nga libra të punuara me standard të lartë arsimorë”, thotë Nikolla Todorov.

Anëtari i Komisionit Nacional për tekste shkollore, Skënder Asani, vetëm një muaj pas formimit të komisionit në fjalë, ka dhënë dorëheqje nga ky post ngase, siç ka sqaruar, libri i historisë në të cilin u vërtetuan gabime skandaloze për popullin shqiptarë është marrë vendim mos tërhiqet . Asani vlerëson se Byroja për Zhvillim të Arsimit është duke shfrytëzuar vakuumin juridik, kur ministri i arsimit është vetëm teknik. deri sa të formohet qeveria e re. për të mos e reviduar tekstin e historisë së shkollave fillore.

Unë menjëherë reagova pasi pashë se në librin e historisë edhe më tej mbeten fyerjet dhe faktet joshkencore, ndërkohë që libri është i punuar jashtë metodologjisë shkencore për hartimin e teksteve shkollore, reagova ashpër. Njëherë përgatita dhe një tekst me katër faqe argumentim ndaj librit duke ia adresuar ministrit të arsimit, zëvendës ministrit, kryeministrit, si dhe shqiptarëve përgjegjës për MO dhe OSB. Por për fat të keq, botimi i librit nuk u pengua dhe ky libër mbetet ne duart e nxënësve, me tendencë për të prishur raportet ndëretnike dhe ato ndërfetare në Maqedoni” shprehet Asani.

Ndërsa Nuhi Dardhishta vlerëson se autoritet e dikasterit të arsimit duhet të angazhohen seriozisht në unifikimin e teksteve shkollore me ata të vendeve të rajonit, ngase integrimi sipas tij, fillon me fqinjët dhe më pas më vendet e zhvilluara të Evropës.

Ne kemi kërkuar që këto programe të jenë unike për të gjitha shtetet e rajonit, jo vetëm atë të Shqipërisë dhe Kosovës por të gjitha shteteve tona fqinje, sepse lëndët e përgjithshme si Matematika, Fizika dhe Kimia, duhet të mësohen njëlloj, edhe nga nxënësit e Serbisë, ngase kjo do të mundësojë lëvizjen e lirë të fëmijëve tanë nga Kosova në Maqedoni, e nga Maqedonia në Kosovë, në funksion të zhvillimit të biznesit apo diçkaje tjetër”, thotë Dardhishta.
XS
SM
MD
LG