Ndërlidhjet

Times: Greqia nuk i takon euros dhe duhet të shkojë


Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt, Gjermani
Banka Qendrore Evropiane në Frankfurt, Gjermani
“Times”

Monedha e përbashkët evropiane e inkurajon tregun dhe investimet matanë kufijve dhe rritjen e tyre.

Por, vendet me ekonomi që udhëhiqen keq, nuk do të duhej kurrë të lejoheshin të bashkoheshin në euro.

Sa më shumë që të zvogëlohet eurozona, ajo më shpejt do të stabilizohet.

Një vend si Greqia, me buxhet të madh dhe me deficite, nuk mund të qëndrojë në euro, nëse nuk janë plotësuar dy kushte.

Së pari, i duhet konsensusi politik për mbështetjen e kursimeve të dhembshme për shumë vjet.

Por, shumë politikanë grekë i kundërshtojnë shkurtimet e mëtejshme.

Së dyti, Gjermania dhe vendet e tjera kryesore të eurozonës, duhet të kenë vullnet për dhënien e ndihmave të shtrenjta, në mënyrë të pakufizuar.

Ky përkushtim është në pikëpyetje: një kryeministër i vendit në eurozonë ka thënë se nuk do të kontribuojë më për çfarëdo huaje, dhe se Greqia duhet të tërhiqet nga euroja.

Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar i kanë përshkruar recetë për shërim Greqisë, Irlandës dhe Portugalisë, ku thuhet se shkurtime të tmerrshme publike të shpenzimeve dhe reforma strukturale, janë të domosdoshme, por jo të mjaftueshme.

Asgjë nuk është bërë për të promovuar rritje në këto shtete.

Kursimi, në fakt, ka çuar në rritje negative, duke e shtuar barrën e kredive në nivele të paqëndrueshme.

Një lloj i dështimit të kthimit të borxheve duket se është i pashmangshëm në këto tri vende.

Liderët e BE-së do të duhej t’i ri-kapitalizonin bankat e tyre me të shpejtë, në mënyrë që ato të mund të ballafaqohen me dështimet e përmendura.

Ata, po ashtu, duhet të krijojnë një "Marshall Plan" modern, për t’iu dhënë shtytje investimeve publike dhe private në vendet “periferike”.

Ata duhet të japin më tepër mbështetje morale dhe politike, duke mbajtur samite në këto vende dhe duke shpjeguar te popujt e tyre përse kursimet janë të domosdoshme.

Ekzistojnë dy shkaqe për pesimizëm në eurozonë.

Njëri është veprimi i ngadalshëm i liderëve evropianë. Euroja është sikur pacienti i sëmurë në shtrat, i rrethuar nga doktorët, të cilët nuk pajtohen për natyrën e sëmundjes, ose për barërat që nevojiten për shërim.

Liderët kanë dështuar t’i bindin tregjet, që ata po e dinë se çka po bëjnë.

I dyti shkak i pesimizmit është rritja e ndjenjës euro-skeptike në Evropë.

Në vendet “periferike” ka kundërshtim në rritje ndaj shkurtimeve të shpenzimeve.

Në vendet kryesore siç janë Finlanda, Gjermania dhe Holanda, ekziston armiqësi në rritje ndaj ndihmave të mëtejshme.

Pra, edhe nëse doktorët i gjejnë barërat, parlamentet në Evropën Veriore dhe Jugore, mund të mos i pranojnë.

Nëse Greqia i ristrukturon borxhet e veta, të themi 70% të vlerës, problemet e saj nuk do të zgjidhen.

Do të duhet ende të huazojë për buxhet dhe për deficitet aktuale.

Disa thonë se largimi nga euroja do të ishte çmenduri, pasi Greqia, në atë rast, do ta ndante veten nga tregjet kredituese.

Por, Greqia aktualisht është larguar nga këto tregje, dhe nëse përpiqet të largohet nga euroja, duhet ta kërkojë ndihmën e partnerëve të saj në aranzhimin e një daljeje të rregullt.

Do të ketë biseda për ndihmë dhe kontroll të kapitalit.

Të mos harrojmë se një numër në rritje i evropianëve veriorë dëshiron që Greqia të shkojë. (f. b.)
XS
SM
MD
LG