Ndërlidhjet

Punëtorët e "Ramiz Sadikut" fitojnë rastin në gjykatë


Trupi gjykues i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës në çështjet që kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, i përbërë nga dy gjykatës të EULEX-it dhe një vendas, më 10 qershor 2011 e nxori aktgjykimin për lëndën lidhur me privatizimin e ndërmarrjes shoqërore (NSH) KNI “Ramiz Sadiku” Prishtinë, i cili është bërë më 27 qershor 2006.

Sipas një njoftimi të Zyrës për Informim të EULEX-it, aktgjykimi, i cili përbëhet nga 1097 faqe, e urdhëron AKP-në që të përfshijë në listën e punëtorëve ish-punëtorët të cilët gjykata i ka identifikuar si me të drejtë legjitime për të përfituar nga 20% i të ardhurave nga privatizimi i NSH-së dhe të cilët do të ishin në listën e rrogave në kohën e privatizimit për së paku tri vite, sikur ata të mos kishin qenë të diskriminuar.

“714 ankues kanë pasur sukses dhe i janë shtuar listës së punëtorëve me të drejta legjitime; 34 ankueseve u është zgjatur stazhi i punës nga e cila gjë ata do të përfitojnë një pjesë më të madhe nga të ardhurat. Në përgjithësi, 748 ankesa kanë qenë të suksesshme. 8 emra janë larguar nga lista pas zbardhjes së rrethanave gjatë seancave gjyqësore”, thuhet në njoftim.

EULEX njofton se 1339 ankues nga radhët e komuniteteve të ndryshme në Kosovë kanë parashtruar ankesë në Dhomën e Posaçme kundër listës së punëtorëve të përpiluar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Një numër i madh ankuesish kërkuan përfshirjen e tyre në listën e punëtorëve me të drejta legjitime dhe pohuan se kishin qenë të diskriminuar nga masat e dhunshme gjatë viteve 1990 ose nga menxahmenti i ri i NSH-së i cili ka punuar pas luftës.

Disa ankues kërkuan që t’ju korrigjohet stazhi i tyre i punës dhe/ose të hiqen disa punëtorë prej listës së publikuar nga AKP-ja. Seancat për këtë rast kanë zgjatur 34 ditë gjatë një periudhe tremujore.
XS
SM
MD
LG