Ndërlidhjet

Rusi, NATO: Nuk u tejkaluan mosmarrëveshjet për Libinë


Rusia dhe NATO-ja dështuan t’i zbusin dallimet e tyre lidhur me fushatën ajrore perëndimore në Libi.

Duke folur pas takimit në Soçi të Detit të Zi, me sekretarin e përgjithshëm të aleancës, Anders Fog Rasmusen, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavror, tha se “deri tash nuk ka kuptim të përbashkët lidhur me atë se si po implementohet rezoluta”.

Ai i referohej rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ka hapur rrugë për fushatën ajrore.

Rusia kishte abstenuar në votimin për këtë rezolutë, por prej atëherë ka shprehur shqetësim në rritje lidhur me intensitetin dhe zgjatjen e sulmeve ajrore të udhëhequra nga NATO-ja kundër caqeve të regjimit të Muamer Gadafit në Libi.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit NATO-Rusi, ishin të pranishëm edhe presidenti rus, Dmitri Medvedev, dhe presidenti i Afrikës Jugore, Jakob Zuma.

Njëherësh, aeroplanat e NATO-s i kanë intensifikuar sulmet me bomba në Libi.

Të dhënat e aleancës tregojnë se në 24 orët e fundit janë realizuar 71 sulme.

Dallime ndërmjet Rusisë dhe NATO-s, poashtu, mbetën edhe për sistemin e propozuar kundërajror në Evropë, ndërsa Rasmusen ka theksuar se “shumë çështje duhet të shqyrtohen”.

Rusia po kërkon që sistemi të udhëhiqet së bashku, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja, po i ofrojnë Moskës rol shumë më të kufizuar.
XS
SM
MD
LG