Ndërlidhjet

Vazhdon debati për gjuhën dhe flamurin shqiptar


Në Kuvendin i Maqedonisë po debatohet për ndryshimin e Ligjit për përdorimin e flamurit kombëtar (Foto arkiv).
Në Kuvendin i Maqedonisë po debatohet për ndryshimin e Ligjit për përdorimin e flamurit kombëtar (Foto arkiv).
Në Kuvendin i Maqedonisë ka vazhduar debati për miratimin e ndryshimit të Ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar. Ndryshimet e paraqitura nga BDI-ja kanë shkaktuar reagim, jo vetëm të opozitës, por edhe të analistëve politikë, pasi, sipas tyre, zgjidhjet e ofruara nuk i mbyllin të gjitha çështjet e hapura që kanë të bëjnë me gjuhën dhe flamurin. Ndërkohë, VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja negociojnë edhe për statusin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së dhe zgjidhjen e kontestit rreth emrit.


Në Komisionet e Kuvendit të Maqedonisë ka vazhduar debati rreth tri pikave të marrëveshjes së arritur mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, lidhur me ndryshimet në ligjet për përdorimin e gjuhës shqipe, të simboleve të bashkësive etnike, si dhe për mbylljen e rasteve të Hagës, përmes interpretimit autentik të Ligjit të amnistisë.

Lidhja Social-Demokrate përmes amendamenteve të paraqitura ka tentuar të pengojë miratimin në procedurë të përshpejtuar të këtyre ndryshimeve, të cilat, sipas saj, po bëhen nga shumica parlamentare në kundërshtim me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Ohrit.


Edhe opozita shqiptare është shprehur kundër ndryshimeve të ofruara,pasi, sipas saj, ndryshimet e paraqitura nga BDI-ja nuk zgjidhin përfundimisht çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe dhe të flamurit kombëtar.

Por, BDI-ja ka mbrojtur propozimet e paraqitura me nevojën e evitimit të pengesave dhe zbrazëtirave ligjore nga e kaluara, me atë, se tani, të gjithë personave të zgjedhur apo të emëruar nga ana e Kuvendit, u mundësohet që të flasin në gjuhën e tyre amtare.

Zgjidhja kryesisht u adresohet ministrave shqiptare, të cilët deri më tani, nuk kishin të drejtën që fjalimet t'i mbanin edhe në gjuhën shqipe.

Ndërkohë, përveç opozitës, edhe analistët shqiptarë kanë shprehur rezerva për përmbajtjen e ndryshimeve ligjore.

“Është një marrëveshje e frustrimeve të reja, që do të thotë, se ky koalicion nuk është i gatshëm t’i zgjidhë problemet vitale dhe reale të Maqedonisë, si shtet, e as ato të shqiptarëve. Pra, përsëri shqiptarët nuk do ta dinë se ku duhet të flasin shqip”, është shprehur Alajdin Demiri, analist dhe ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Demiri, gjithashtu, e vlerëson jo të mirë edhe zgjidhjen e ofruar sa i përket përdorimit të flamurit kombëtar në nivelin lokal gjatë manifestimeve të ndryshme.


“Bëhet fjalë për një tendencë të nënçmimit ose mbivlerësimit të një flamuri. Kanë sjellë ligj që njëri flamur të jetë më i madh, kurse tjerët të jenë të madhësisë standarde. Kjo është e pakuptimtë dhe frustruese për vetë maqedonasit se do të kenë problem të sqarojnë se për çfarë është ajo madhësi e flamurit” , ka theksuar Demiri.

Për dallim nga ai, analisti politik maqedonas, Vllado Popovski, ka thënë se është gabim që marrëveshja e arritur mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së, për këto çështje, apo ajo për ndarjen e posteve ministrore, të shikohet nga këndi i fituesit dhe të humburit.

“Mendoj se një qasje e tillë absolutisht nuk i përgjigjet një shoqërie që është multi-etnike siç është rasti me Maqedoninë, e cila politikisht, përmes partive të tyre është e përfaqësuar në institucione. Pra, konsideroj se më e rëndësishmja është se ka marrëveshje dhe derisa ekziston një gjë e tillë mendoj se ato do të kenë veprojmë profesionalisht në drejtim të përmbushjes së programit të tyre qeveritar”, është shprehur Popovski.

Ndërkohë, dy partitë, që do të jenë pjesë e qeverisë së re ende nuk kanë dalë me qëndrime sa i përket kërkesave tjera të BDI-së, lidhur me zgjidhjen e statusit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, pastaj zgjidhjen e kontestit rreth emrit me Greqinë në 100 ditët e para të qeverisjes, si dhe për përfshirjen edhe të programit të BDI-së në programin e punës së qeverisë në katër vitet e ardhshme.
XS
SM
MD
LG