Ndërlidhjet

Kosova mirëpret fondin e KE-së


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pavarësisht mosrespektimit të marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar, Komisioni Evropian ka vënë në dispozicion 203 milionë euro për Kosovën. Lidhur me këtë, zyrtarë të Qeverisë theksojnë se ky fond tregon bashkëpunimin e ekzekutivit me faktorin ndërkombëtar, ndërsa njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se ky fond është më interes jetik për stabilitetin financiar.


Qeveria e Kosovës do të përpilojë projektet e kërkuara nga Bashkimi Evropian për tërheqjen e fondit, të cilin Komisioni Evropian e ka vënë në dispozicion për Kosovën, thonë zyrtarë të Qeverisë.

Komisioni Evropian, të mërkurën, vendosi që për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë të ofrojë 5.1 milionë euro në kuadër të programeve të para-anëtarësimit.


Nga ky fond, për Kosovën, Komisioni Evropian ka vënë në dispozicion 203 milionë euro, për periudhën 2011-2013. Për t’i tërhequr këto ndihma financiare, Qeveria e vendit duhet të përpilojë projekte në fusha të caktuara.

Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave, tregon se për cilët sektorë do të shfrytëzohen këto mjete. Ai njëherësh thotë se ndarja e këtij fondi tregon edhe një herë bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar.

“Këto fonde për periudhën 2011-2013 do të derdhen për vazhdimin e reformave në sektorin e gjyqësisë, administratën publike, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe janë fonde që do të ndikojnë drejtpërdrejt në ecjen e Kosovës drejt Bashkimit Evropian”.

“Përkrahja e Komisionit Evropian ka për qëllim funksionalitetin dhe seriozitetin e Qeverisë së Kosovës, sa i përket premtimeve para qytetarëve të saj dhe faktorit ndërkombëtar”,
thotë Shahini.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, fondin e Komisionit Evropian e quajnë me interes jetik sa i përket stabilitetit financiar dhe buxhetor për Kosovën.


Naim Gashi thotë se mbështetja e Komisionit Evropian në kohën kur Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ndërprerë një marrëveshje me ekzekutivin e vendit, është më se e nevojshme për situatën financiare.

“Për këtë, ne, si kosovarë, duhet të jemi shumë të gëzuar se Komisioni Evropian, pavarësisht këtyre sfidave dhe zhvillimeve financiare ndërkombëtare, prapë ka vazhduar mbështetjen financiare për Kosovën".

"Ne duhet të jemi partnerë seriozë karshi komunitetit ndërkombëtar dhe të dëshmojmë se kemi kapacitete administrative dhe qeveritare për të menaxhuar edhe me projekte kapitale, edhe me projekte që kanë të bëjnë me ngritjen e administratës publike
”, thekson Gashi.

Por, zyrtarë të Bashkimit Evropian tashmë kanë konfirmuar se në rast se Kosova vazhdon t’i shkelë marrëveshjet me Fondin Monetar Ndërkombëtar, atëherë do të ketë pasoja për asistencën e ardhshme të Komisionit Evropian ndaj Kosovës.

Pas ndërprerjes së marrëveshjes 18 mujore të Fondit Monetar Ndërkombëtar, është arritur pajtim ndërmjet Qeverisë dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar për një marrëveshje të re monitorimi, e cila do të mundësojë vazhdimësinë e mbështetjes nga ky FMN-ja.

Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që t’i përmbushë të gjitha rekomandimet e kërkuara nga ky institucion financiar ndërkombëtar, pas krijimit të marrëveshjes së re, thotë zëvendëskryeministrja e Kosovës Mimoza Kusari-Lila.


Ajo shpreh shpresën se në të ardhmen Kosova nuk do të ketë mospajtime me Fondin Monetar Ndërkombëtar, të cilat do të ndikonin në shtyrjen e afateve për marrjen e kredive në këtë mekanizëm, po ashtu edhe mbështetjen materiale nga institucionet tjera financiare ndërkombëtare.

Mendoj se Qeveria është plotësisht e përkushtuar që ta plotësojë këtë marrëveshje, do të thotë të jetë në vijë me këtë marrëveshje. Edhe në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri dy-tri herë e ka theksuar këtë. Gjithashtu, edhe në kuadër të ministrave deri te vartësit e tyre duhet një disiplinë për zbatimin e marrëveshjes dhe ne të gjithë jemi të përkushtuar. Mendoj se nuk do të jetë problem, meqë konsideroj se të gjithë jemi të vetëdijshëm për detyrat, obligimet për të cilat ne i kemi”, u shpreh Kusari-Lila.

Përveç ndihmës financiare nga Komisioni Evropian, pas ndërprerjes së marrëveshjes nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, mbështetje materiale dhe teknike ka premtuar edhe Banka Botërore, por që ende nuk e ka saktësuar shumën e mjeteve.
XS
SM
MD
LG