Ndërlidhjet

Mbyllja e rasteve të Hagës


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Rastet e Hagës lidhur me akuzat ndaj drejtuesve të lartë të UÇK-së për krime lufte në Maqedoni gjatë vitit 2001 u mbyllën nga partnerët e koalicionit qeveritar VMRO DPMNE dhe BDI, me përfshirjen e tyre në ligjin për aministi. Por, marrëveshja e tillë u kritikua ashpër nga opozita maqedonase, e cila akuzoi Gruevskin për nënshtrim ndaj presioneve të partisë së Ali Ahmetit. Marrëveshja e arritur u interpretua në forma të ndryshme edhe nga ekspertët shqiptarë dhe maqedonas.


Akuzat e ngritura ndaj ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së, për krime lufte të kryera në konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni, përfshihen në Ligjin për amnisti dhe për to, nuk do të ngrihet asnjë procedurë gjyqësore nga autoritetet e drejtësisë vendase, parashihet me marrëveshjen mes BDI-së dhe VMRO DPMNE-së, përmes interpretimit autentik të Ligjit për amnisti.

Me këtë, përfundimisht mbyllen të ashtuquajturat rastet e Hagës, për procedimin e të cilave Tribunali i Hagës nuk gjeti prova të mjaftueshme.

Këto raste, një kohë të gjatë patën shkaktuar tensione të shumta ndëretnike pas vendimit të gjykatave vendase për të nisur procese të reja gjyqësore pavarësisht vendimit të Gjykatës së Hagës për mosngritjen e asnjë akuze ndaj ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Marrëveshja e këtillë ndërmjet BDI-së dhe VMRO DPMNE-së u kundërshtua nga opozita maqedonase, e cila pyet Nikolla Gruevskin, se cili ishte shkaku i ndryshimit të qëndrimit të tij konstant ndaj kësaj çështjeje të ndjeshme për popullatën maqedonase.

“Kryeministri, patrioti më i madh, në pyetjen e gazetarëve se çfarë do të ndodhë me rastet e Hagës, gjithmonë jepte mesazhin e qartë, se ai nuk e ka ndërmend të përzihet në punën e pushtetit gjyqësor. E pyesim se çfarë e shtyri tani të ndryshojë qëndrimin e tij dhe a thua tani në Maqedoni nuk ka pushtet tjetër, përveç një pushteti që drejtohet prej tij?!”, u shpreh deputetja e LSDM-së, Cvetanka Ivanova.

Mirëpo, askush nga VMRO DPMN-ja e Gruevskit nuk u deklarua për dilemat e ngritura nga ana e opozitës. Ndërsa, nga BDI-ja u shprehën të kënaqur me mbylljen e kësaj çështjeje që në vazhdimësi ka ngritur tensione politike në vend.

Marrëveshja e arritur lidhur me këtë pikë në negociatat mes dy partive fituese të zgjedhjeve, u interpretua në mënyra të ndryshme nga ekspertët shqiptarë dhe ata maqedonas.

Sërish kemi të bëjmë me një formë të zgjidhjes politike të problemeve, në vend se ajo të bëhet përmes sistemit juridik. Mendoj se marrëveshjet e këtilla janë bazë dhe burim i konflikteve të reja dhe pasojat e këtyre marrëveshjeve Maqedonia do t’i ndiej”, tha Mirjana Najçevska, ish-kryetare e Komitetit të Helsinikit.

Por, ndryshe u shpreh Mersim Maksuti, ligjërues i lëndës E Drejta Kushtetuese.

“Është një marrëveshje shumë e pranueshme pasi kishte një problem të krijuar kot, sepse për rastet e Hagës, kompetent ishte vetëm Tribunali i Hagës, i cili do të gjykonte apo dënonte personat, që kishin kryer krime lufte gjatë konfliktit të vitit 2001. Pra, është një marrëveshje e arritur, e cila, në fund të fundit është edhe konform Ligjit për amnisti në Maqedoni, me të cilin parashihet që rastet që përbëjnë krime lufte, janë objekt shqyrtimi vetëm nga Tribunali i Hagës”, theksoi Maksuti.

Ish-drejtuesit e lartë të UÇK-së akuzoheshin për katër raste lidhur me krime të kryera ndaj popullatës civile maqedonase në konfliktin e vitit 2001, si dhe për disa akte tjera që kishin të bënin me ndërprerjen e furnizimit me ujë të disa zonave të vendit.

Pas mbylljes së këtyre rasteve, personi i vetëm i dënuar për krime lufte mbetet Johan Tarçullovski, të cilin, Tribunali i Hagës e dënoi me 12 vjet burgim për krime lufte të kryera ndaj popullatës civile, përkatësisht, për vrasjen e 10 shqiptarëve në fshatin Luboten.
XS
SM
MD
LG