Ndërlidhjet

Presion apo reformë?


Ndërtesa e gjykatës në Shkup, Maqedoni
Ndërtesa e gjykatës në Shkup, Maqedoni
Seanca e sotme e Këshillit Gjyqësor republikan për zgjedhjen e gjykatësve në disa nga gjykatat e vendit, përfshi edhe Gjykatën Supreme, është vlerësuar nga opozita si vazhdim i presionit dhe përzierjes së ekzekutivit në pavarësinë e gjyqësorit në vend.

VMRO-DPMNE përmes Mihjallo Manevskit, përshpejton të realizojë edhe disa zgjidhje kadrovike në pushtetin gjyqësor, si shprehje e mirënjohjes për atë që kishin bërë këta gjykatës gjatë fushatës zgjedhore. Me zgjedhjen e 13 gjykatësve të rinj, tre prej të cilëve në instancën më të lartë gjyqësore, në Gjykatën Supreme, VMRO-ja. përmes ministrit në largim Manevski, po i jep grushtin e fundit pushtetit gjyqësor në vend”, deklaroi Ana Pavllovska, nga Lidhja Socialdemokrate, lidhur me seancën e Këshillit Gjyqësor republikan, i cili bën edhe zgjedhjen e gjykatësve të rinj.

Nga opozita, thonë se Këshilli, seancën për zgjedhjen e gjykatësve duhej ta caktonte pas zgjedhjes së qeverisë së re, kur, edhe hyjnë në fuqi ndryshime ligjore, me të cilat parashihet që Ministri i Drejtësisë të mos jetë më anëtar i këtij këshilli të rëndësishëm.

Por, nga VRMO-DPMNE, hodhën poshtë pretendimet e opozitës duke thënë se Manevski merr pjesë në këtë seancë falë ndryshimeve në Kushtetutë në pjesën e Këshillit Gjyqësor, të cilat, pikërisht LSDM-ja i miratoi, në kohën që VRMO ishte kundër tyre.

Partia në pushtet, gjithashtu, akuzoi LSDM-në, se grushtin më të madh, pushtetit gjyqësor ia kishte dhënë para 15 viteve, me zgjedhjen brenda natës të 630 gjykatësve.

Ndërsa vetë Ministri Manevski, në një prononcim për radion Evropa e Lirë, pasi hodhi poshtë pretendimet e opozitës, tha se gjatë mandatit të tij janë realizuar reformat më të mëdha të bëra ndonjëherë në pushtetin gjyqësor.

Kur ka pasur gjyqësor të këtillë në Maqedoni, ku nga 1 milion e 700 mijë lëndë gjyqësore të pazgjidhura në vitin 2006, tani ky numër të ketë zbritur në 390 mijë lëndë. Pra, sulmet bëhen nga interesa të ngushta partiake dhe nuk kanë të bëjnë fare me realitetin lidhur me reformat e bëra. Akuzat e tilla të lënë për të dyshuar se dikujt në Maqedoni nuk i intereson puna efikase e gjykatave, andaj edhe sulmojnë”, tha Manevski.

Por, me vlerësime të këtilla nuk pajtohen edhe ekspertët e çështjeve juridike, të cilët, gjithashtu konstatojnë ngecje në pavarësinë e gjyqësorit, ndërsa kundërshtojnë veprimin e fundit të Këshillit Gjyqësor për zgjedhjen e gjykatësve.

Mendoj se zgjedhja e gjykatësve dëshmon një përzierje të hapur, një ndikim të theksuar nga pushteti ekzekutiv i përfaqësuar nga anëtari i saj, ministri e drejtësisë. Mendoj se kur jemi tani në prag të zgjedhjes së qeverisë, nuk është aspak e arsyeshme që këshilli gjyqësor të tubohet dhe ta bëjë zgjedhjen përsëri me prezencën edhe të Ministrit të Drejtësisë, i cili, në fakt është edhe në largim, i cili, është edhe jashtë ndryshimeve të tashme juridike, politike e kështu me radhë”, u shpreh Osman Kadriu, ligjërues i së drejtës kushtetuese.

Ai mendon se zgjedhjet e këtilla do të ishin vetëm në funksion të partisë në pushtet dhe jo në shërbim të qytetarëve.

Gjyqësori në Maqedoni, në vazhdimësi ka qenë në shënjestër të kritikave edhe të Bashkësisë Evropiane.

Në raportin e fundit të Transparency International, pushteti në Maqedoni është kritikuar lidhur me ndërhyrjet politike për shkarkimin e gjykatësve, pastaj emërimin dhe shkarkimin e shërbyesve civilë, si dhe për qasjen joadekuate në informata dhe zbatimin të procedurave të prokurimit publik
XS
SM
MD
LG