Ndërlidhjet

Mospërmbushja e kritereve për integrim në BE


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Maqedonia, përveç zgjidhjes së çështjes së emrit me Greqinë, duhet të përmbush edhe kushtet tjera të nevojshme për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kështu vlerësojnë, njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare duke komentuar prononcimet në vazhdimësi të zyrtarëve shtetërorë, se Maqedonia me zgjidhjen e kontestit rreth emrit, mund të llogarisë në anëtarësimin në BE.

Sipas tyre, tashmë janë përmbushur të gjitha detyrimet tjera të parapara për këtë proces.

Në fakt, zëvendëskryeministri në largim për çështje evropiane, Vasko Naumovski, në paraqitjen e fundit deklaroi se çështja e emrit ishte ajo që pengoi Maqedoninë të jetë anëtare e re e Bashkimit Evropian.

Por, një prononcim të këtillë të zyrtarëve, Ismet Ramadani, nënkryetar i Këshillit Euroatlantik, e vlerëson më tepër si politik, për të fshehur, siç thotë ai, dobësitë që e përcjellin Maqedoninë në procesin e integrimit.

Është vetëm një deklaratë politike, pasi Maqedonia duhet të përmbushë edhe shumë standarde për të qenë anëtare e BE-së. Kam përshtypjen se me çështjen e emrit, zyrtarët duan t’i mbulojnë dobësitë që paraqiten në arritjen e standardeve dhe të kritereve”, u shpreh Ramadani duke numëruar më pas sferat në të cilat ende ka ngecje sa i përket reformave.

Përmenden disa fusha siç është gjyqësia, mediumet, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, niveli i demokracisë konsensuale, përmbushja e Marrëveshjes së Ohrit apo praktikimi i saj në jetën e përditshme dhe disa çështje kanë të bëjnë me standardet në sferën e ekonomisë lidhur me papunësinë”, theksoi Ramadani.

Ndërkohë, Nikolla Dujoski, profesor universitar, tha se institucionet në Maqedoni nuk janë të qarta në pozicionin e tyre në raport me integrimin e vendit dhe kjo, sipas tij, lë të dyshohet në deklarimet e tyre sa i përket prioriteteve.

Para së gjithash, duhet përcaktuar se çfarë ka synuar politika jonë viteve të fundit apo nëse integrimet euroatlantike kanë qenë prioriteti kryesor i saj. Deklarativisht po, por praktikisht nuk duket që kjo të ketë qenë prioritet ”, tha Dujoski duke kritikuar qëndrimin e institucioneve jo vetëm ndaj mospërmbushjes së kritereve tjera, por, edhe ndaj së çështjes së emrit, që mbetet parakushti kryesor për integrim.

Për fat të keq politika të cilën tani e udhëheqë Maqedonia nuk çon në zgjidhjen e këtij kontesti më të rëndësishëm për integrimin e vendit. Nuk jam i sigurt dhe nuk besoj se edhe në një periudhë të shkurtër kohore kjo qasje do të ndryshojë, pra, Maqedonia jo vetëm në zgjidhjen e çështjen e emrit, por ngec edhe në zbatimin e reformave tjera të brendshme”, shtoi Nikolla Dujoski.

Mos përmbushja e kritereve tjera është theksuar edhe në raportin e progresit të vitit të kaluar nga Komisioni Evropian, ndërsa sipas analistëve kjo pritet të theksohet edhe në raportin e këtij viti, ku sipas tyre, në shprehje do të vijnë, në veçanti kritikat për presione ndaj mediumeve dhe pushtetit gjyqësorë.

Statusin e shtetit kandidat Maqedonia e ka fituar në vitin 2005, por, deri më sot nuk ka arritur të nisë bisedimet për anëtarësim, në radhë të parë për shkak të kontestit që ka me Greqinë për çështjen e emrit.
XS
SM
MD
LG