Ndërlidhjet

Mungesë investimesh të huaja


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Qeveria Gruevski tre, gjatë konstituimit javën që e lamë pas, ka premtuar se gjerë në fund të 2015, investimet e huaja në Maqedoni do të arrijnë në 30 për qind nga vlera bruto e prodhimit vendor.

Ministri i ri për investime Bill Pavleski, bashkë me 27 promotorët e shpërndarë në disa shtete të botës, besojnë se reformat e realizuar në gjyqësor, si dhe ulja e tatimeve, Maqedoninë e bëjnë truall atraktiv për derdhjen e kapitalit të huaj.

Por, këto premtime, opozita maqedonase i ka cilësuar si iluzionare.

Zoran Jovanovski, nënkryetar i LSDM-së, vlerëson se gjasat janë pothuajse minimale për të shpresuar se së shpejti do të injektohet kapital i huaj në vend. Kjo vjen, siç thekson ai, si pasojë e bllokimit të procesit integrues, por edhe politikave të gabuara ekonomike të qeverisë

"Gjithnjë e më shumë pakësohen investimet kapitale në vend, kjo kuptohet, nuk është mirë për biznesin e vendit, por në mungesë të mjeteve, qeveria shkurton investimet kapitale siç janë investimet në infrastrukturë, energjetikë dhe lëmi tjera”, thekson Jovanovski dhe shton se “Maqedonia në vend se të ndjellë, ajo edhe më tej i dëbon investitorët me klimën e pavolitshme ekonomike, e veçanërisht për shkak të politizimit të gjyqësorit, që nuk paraqet kornizë të qëndrueshme ligjore për mbrojtjen e kapitalit të huaj”.

Nga ana tjetër, Abdulmenaf Bexheti, ekspert i ekonomisë, vlerëson se derdhja e mjeteve të buxhetit të shtetit në investimet jokapitale siç është projekti Shkupi 2014, i cili u përcoll me tensione ndër-etnike, pas çka reagoi edhe komuniteti ndërkombëtar, Maqedonisë ia ka bërë reklamën më të keqe të mundshme, sa i përket krijimit të biznes-klimës së volitshme.

Një pjesë e madhe e këtyre ‘aventurave’, siç do t’i quaja kushtimisht, bëhen mbi bazën e financimit fiskal buxhetor, ku shqiptarët paraqesin kategorinë më të ndjeshme”, thekson Abdulmenaf Bexheti nga UEJL në Tetovë, duke nënvizuar se investimi i vetëm serioz në Maqedoni janë paratë e diasporës shqiptare, mjete këto që në masë të madhe arrijnë të shpëtojnë ekonominë e vendit.

Po mos të jenë remitencat, gjegjësisht transferët private, që 90% vijnë nga shqiptarët nga diaspora ekonomike, e cila viteve të fundit arrin edhe vlerën 1.2 miliard në vit, nuk mund të mbajnë Maqedoninë, as stabilitetin makroekonomik, e le më të flitet për aspektin zhvillimor”, thotë Bexheti.

Ndryshe, në raportin e fundit të Konferencë për tregti dhe zhvillim në kuadër të OKB-së, është theksuar se me 293 milion dollarë investime në vit, sa hyjnë, Maqedonia radhitet në vendin e parafundit të vendeve të rajonit.

Ndërkohë, 27 promotorë ekonomikë të angazhuar nga qeveria, vazhdojnë të reklamojnë Maqedoninë dhe kapacitetet e saj investuese si “vend i mundësive”.
XS
SM
MD
LG