Ndërlidhjet

Shuarja e A1, sulm mbi lirinë e mediave


Ndërtersa e Qeverisë së Maqedonisë
Ndërtersa e Qeverisë së Maqedonisë

Mbyllja e televizionit A1, ka shkaktuar reagime të shumta si nga ekspertët, ashtu edhe nga partitë politike.

Vendimi i agjencisë për komunikime elektronike për ndalimin e transmetimit të programit të këtij televizioni që është në procedurë të falimentimit, është vlerësuar antiligjor, pasi një vendim të tillë mund ta merr vetëm këshilli për radiodifuzion, i cili, tani disa ditë diskutonte variantet për mos mbylljen e televizionit.

Kjo që ka ndodhur është turp për Maqedoninë, nuk mund ta kuptoj një veprim të tillë. Ishte më se e qartë se pas vendimit për të shkuar në falimentim, televizioni A1 edhe do të likuidohej. Nuk e kam të qartë se pse shpejtohej në marrjen e një vendimi të tillë”.

Agjencia për komunikime elektronike nuk ka asnjë të drejtë legale dhe legjitime t'ia marrë frekuencat, por, sikur edhe të ketë pasur shkelje ligjore të ligjit për komunikime elektronike, ajo duhet ta njoftonte këshillin për radiodifuzion, dhe të kërkonte marrjen e lejes për punë. Ai që ka dhënë urdhrin që duhet të përballet me padi penale nga ana e këshillit për radiodifuzion”, thotë Viktor Grozdanov, një nga hartuesit e ligjit për veprimtari radiodifuzive.

Nga ana tjetër, kreu i këshillit për radiodifuzion, Zoran Stefanovski, ka deklaruar se vendimi i agjencisë i ka dhënë fund përpjekjeve për të bërë diçka konkrete në shpëtimin e televizionit, që ka rreth 30 milion borxhe.

Ndërsa, pronari i saj, Velija Ramkovski, tani disa muaj ndodhet në paraburgim për shkak të akuzave të ngritura për fshehje tatimi dhe keqpërdorime tjera në menaxhimin e firmave të tij përfshirë edhe televizionin A1.

Ndaj vendimit të Agjencisë për komunikime elektronike ka reaguar edhe Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë.

Kryetari i saj, Naser Selmani, tha se vendimi është antiligjor dhe paraqet goditje mbi lirinë e mediave në vend.

Ne mendojmë se pa vendim të Këshillit për radiodifuzion për marrjen e lejes së punës, nuk mund t'i hiqet frekuenca. Ne vlerësojmë se me këtë vendim është suspenduar shteti juridik dhe sundimi i ligjit. Ne druajmë se ky akti i njëanshëm dhe joligjor në të ardhmen do të krijojë praktika që lejet për punën e mediave të merren duke mos respektuar ligjin dhe standardet ndërkombëtare”, thotë Naser Selmani duke shtuar se vendimi është edhe në kundërshtim me rekomandimet e Këshillit të Evropës.

Ndërkohë, reagime vijnë edhe nga drejtuesit e mediave tjera në vend.

Isen Saliu, kryeredaktor i gazetës “Lajm” thotë:

Nuk duhet askush të ketë iluzione se mbyllja e televizionit A1, do të mbetet një rast i izoluar dhe me këtë do të tejkalohet kërcënimi për lirinë e mediave në Maqedoni. Mbyllja e këtij televizioni, pa dyshim se do të ketë efektin domino ndaj mediave tjera, është një mesazh i qartë se çdo medium i cili merr guximin që ta kritikojë pushtetin mund të ballafaqohet me të gjitha format e presionit duke mos përjashtuar edhe mbylljen e atij mediumi”, thotë ai, duke shtuar se gazetarët duhet të gjejnë forma të ndryshme, përfshirë protestat dhe grevën, për të parandaluar sulmet tjerë të pushtetit ndaj lirisë së mediave.

Shuarja e televizionit A1 ka shkaktuar edhe akuza mes partive në pushtet dhe opozitë.

Derisa nga LSDM-ja dalin në mbrojtje të televizionit dhe kritikojnë pushtetin për heshtjen e mediumeve që kritikojnë punën e tij nga partia e kryeministrit Gruevski, thonë se shteti ka vepruar në përputhjen me autorizimet ligjore për luftimin e krimit të organizuar, pavarësisht se në cilën veprimtari bëhet fjalë.

Mbyllja e A1-it ka lënë pa punë mbi 230 gazetarë dhe punonjës tjerë të këtij televizioni.
XS
SM
MD
LG