Ndërlidhjet

Berisha përshëndet pajtueshmërinë për veriun


Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka përshëndetur pajtueshmërinë e arritur mes KFOR-it dhe Kosovës, për garantimin e kontrollit të kufirit verior.

“Qeveria shqiptare përshëndet mirkuptimin e arritur sot midis Qeverisë së Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it, me të cilin garantohet kontrolli i kufirit verior të Republikës së Kosovës dhe hidhen baza solide për zgjidhjen me negociata, bazuar në parimin e reciprocitetit, të çështjes së lëvizjes së lirë të mallrave midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të faqes së Kryeministrisë.

Po ashtu, Qeveria shqiptare vlerëson bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës me KFOR-in dhe EULEX-in, gadishmerinë e saj për të vazhduar dialogun dhe negociatat në procesin e Brukselit.

“Qeveria shqiptare u bën thirrje të dyja palëve që të vendosin për lëvizjen e lirë të mallrave në të dy drejtimet dhe për bashkëpunimin në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, në interesin më të mirë të vendeve të tyre dhe të rajonit në tërësi”, përfundon deklarata.
XS
SM
MD
LG