Ndërlidhjet

Marrëveshja e Ohrit: A u përmbushën detyrimet?


Ohër...
Ohër...
Në Maqedoni kanë filluar aktivitetet për shënimin e 10 vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Disa nga pjesëmarrësit në bisedimet për hartimin e këtij dokumenti janë shprehur kritikë ndaj vonesave në zbatimin e dispozitave të këtij dokumenti paqësor. Naser Zyberi thotë se politikanët duhet të angazhohen për zbatimin e frymës së Marrëveshjes së Ohrit, në krijimin e raporteve të barabarta mes dy etniteve më të mëdha në Maqedoni. Ndërsa Vllado Popovski thotë se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet shikuar vetëm si nevojë e plotësimit të dëshirave, por, si një kornizë e funksionimit të shoqërisë multietnike.

Edhe 10 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, në Maqedoni vazhdon të flitet për nevojën e zbatimit të këtij dokumenti, që ndërpreu luftën e vitit 2001, apo nëse me këtë marrëveshje është arritur të përmirësohet politika juridike e shqiptarëve të Maqedonisë.

Një nga pjesëmarrësit në bisedimet për hartimin e kësaj marrëveshjeje, Naser Zyberi, konstaton dështimin e partive politike, në veçanti të atyre shqiptare, jo vetëm në zbatimin e dispozitave të saj, por, edhe në ndryshimin e frymës së këtij dokumenti paqësor.

Zyberi thotë se partitë apo pushteti ishin të obliguara që Marrëveshjen e Ohrit ta zbatojnë deri në vitin 2004, por, ky detyrim jo vetëm që nuk u përmbush, por, shumë pjesë të saj u ndryshuan apo filluan të zbatohen në kundërshtim me frymën e saj.

Ai këtu përmend gjuhën shqipe, që ende nuk ka gjetur zbatimin zyrtar në praktikë, pastaj përdorimin zyrtar të flamurit kombëtar, risocializimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të shqiptarëve në institucione, e shumë obligime tjera.

Por, më e rëndësishmja, sipas Zyberit, është devijimi nga fryma e Marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton krijimin e kushteve për zhvillim të barabartë dhe ndryshimi i statusit juridiko kushtetues i shqiptarëve në Maqedoni.

Ne mund të kemi infrastrukturë apo ndryshime ligjore perfekte, mund të jenë edhe mbi standardet që parasheh Marrëveshja e Ohrit, mund të kemi punësime mbi përfaqësimin adekuat dhe të drejtë të shqiptarëve, por, nëse nuk zbatohet kjo frymë e krijimit të raporteve të barabarta mes dy etniteve numerikisht më të mëdha në Maqedoni, ne nuk kemi bërë asgjë”, thotë Zyberi.

Nga ana tjetër, Vllado Popovski, po ashtu pjesëmarrës në bisedime, thotë se Marrëveshja e Ohrit, duhet shikuar si proces dhe të gjitha dallimet që mund të paraqiten në raport me zbatimin e saj duhet zgjidhur përmes dialogut.

Ai thotë se gjatë kësaj periudhe është bërë mjaft si në zbatimin e ligjeve ashtu edhe në realizimin e dispozitave të saj në punësim e arsim.

Çdo vërejtje që mund të ekzistojë në raport me Marrëveshjen e Ohrit, duhet të kapërcehet përmes dialogut të hapur. Dialogu mes pozitës dhe opozitës duhet të jetë i vazhdueshëm rreth efekteve, por edhe frymës së Marrëveshjes së Ohrit, që të kapërcehen problemet që edhe mund të paraqiten”, thotë Popovski duke shtuar se Marrëveshja e Ohrit nuk duhet perceptuar si një kosh që duhet mbushur me të drejta, por si një kornizë e funksionimit të shoqërisë multietnike.

Në vitin 2001 kjo marrëveshje ishte një akt paqësor i uljes së tensioneve, i ndërprerjes së luftimeve, megjithatë, për nga përmbajtja dhe kuptimi, Marrëveshja e Ohrit është një koncept i qëndrueshmërisë i shoqërisë multikulurore dhe heterogjene”, shprehet Popovski.

Nga ana tjetër, Naser Zyberi thotë se fryma e Marrëveshjes së Ohrit mund zbatohet vetëm me seriozitet më të madh të faktorit politik shqiptar që edhe është fajtor për ngecjet e deritanishme.

Partitë shqiptare, thotë Zyberi, duhet të heqin dorë nga praktika e deritanishme që kur janë në pushtet të flasin për zbatimin të Marrëveshjes së Ohrit, dhe kur janë në opozitë këtë Marrëveshje ta shpallin të vdekur.

Vonesat, shmangiet, në procesin e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, janë rezultat i mungesës së kapaciteteve, resurseve njerëzore dhe fuqisë politike të faktorit politik shqiptar, sepse pala maqedonase çdoherë tenton që ketë proces ta zvarrisë, ta dëmtojë, ta vonojë. Tani është 10 vjetor i Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa sipas aneksit C, ky proces duhej të përfundonte brenda katër viteve”, u shpreh Zyberi.

Manifestimi kryesor i 10 vjetorit të kësaj marrëveshjeje do të shënohet nesër, pikërisht në Ohër, ku edhe liderë të katër partive maqedonase dhe shqiptare firmosën këtë dokument në prani të ndërmjetësve të SHBA-së dhe BE-së.
XS
SM
MD
LG