Ndërlidhjet

Guardian: Luftërat e Obamës, pa fund


Ushtarë amerikanë në Afganistan.
Ushtarë amerikanë në Afganistan.
"Guardian"

Një tjetër ditë, një tjetër sulm. Të premten, talibanët kremtuan Ditën e Pavarësisë së Afganistanit me një sulm të guximshëm në zyrat e Këshillit Britanik në Kabul, i cili ka vrarë nëntë persona.

Një ditë më parë, militantët vranë 25 njerëz, pas shpërthimit të bombës që goditi autobusin në provincën Herat. Në të njëjtën ditë, ata shpërthyen makinën bombë në hyrje të një baze amerikane në rajonin Paktia.

Sulmet më vdekjeprurëse të këtij viti në Irak, kanë zënë vend në fillim të javës. Të paktën 70 veta u vranë dhe mbi 300 të tjerë u plagosën.

Ndonëse një dekadë nga 11 shtatori, 2001, gjakderdhja dhe kaosi vazhdojnë të pllakosin Afganistanin dhe Irakun.

Raporti i Departamentit të Shtetit, i publikuar të enjten, zbuloi se numri i sulmeve terroriste në Afganistan është rritur për 55 për qind vitin e kaluar, ndërsa në Irak për 9 për qind.

Forcat e huaja të sigurisë, të udhëhequra nga SHBA, kanë pasur dështime të mjera – mijëra jetë të humbura dhe triliona dollarë të shpenzuara. Prania e trupave perëndimore në tokat myslimane më shumë e ka provokuar terrorizmin, sesa që e ka parandaluar atë.

Në librin e tij “Të vdesësh për të fituar: Logjika strategjike e terrorizmit vetëvrasës”, shkencëtari politik, Robert Pejp, ka analizuar çdo rast të njohur të terrorizmit vetëvrasës në periudhën 1980-2005 – në total 315 sulme – dhe ka arritur në përfundimin se “qëllimi strategjik” i terroristëve vetëvrasës është t’iu jepet fund okupimeve të huaja ushtarake.

“Rrënja e terrorizmit vetëvrasës është nacionalizmi. Ai është një strategji ekstreme për çlirimin kombëtar”, ka shkruar ai.

Përse një politikan inteligjent si Barak Obama ka vështirësi ta kuptojë këtë? Presidenti amerikan ka shumë për t’u përgjigjur.

Po, ai ka trashëguar dy luftëra të përgjakshme dhe të kushtueshme nga paraardhësi i tij. Megjithatë, në Afganistan, përkundër këshillës së zëvendësit të tij dhe ambasadorit të tij në Kabul, ai ka përshkallëzuar konfliktin me dërgimin e 30 mijë amerikanëve shtesë për të vrarë dhe për t’u vrarë nga talibanët.

Vënia e më shumë çizmeve në terren ka qenë një gjykim i gabuar. Më shumë trupa amerikane kanë vdekur në Afganistan gjatë qëndrimit të Obamës në Shtëpinë e Bardhë, tashmë dy vjet e gjysmë, sesa gjatë dy mandateve të Bushit. Ndërkohë që Iraku është bërë një luftë e harruar – 47 mijë trupa amerikane mbesin të stacionuara ende atje.

Historiani Çarls Bird, në vitin 1947, e pat përshkruar doktrinën e sigurisë kombëtare të presidentëve amerikanë “si luftë të përhershme për paqe të përhershme”.

Pavarësisht fitimit të Çmimit Nobel për Paqe, Obama ka provuar të jetë jo ndryshe nga pjesa tjetër. (v.t.)
XS
SM
MD
LG