Ndërlidhjet

Kosor: Kroacia është mikja më e madhe e Kosovës


Kroacia mbështet tërësinë territoriale të Kosovës ka deklaruar sot në Prishtinë, kryeministrja kroate, Jadranka Kosor.

Ajo po kryeson një delegacion qeveritar dhe afarist të shtetit kroat në vizitën një ditëshe në Kosovë, me çrast janë nënshkruar edhe marrëveshje bashkëpunimi në fushat e integrimeve evropiane, infrastrukturës dhe ekonomisë.

Kosor tha se politika e jashtme e Kroacisë tash e tutje do të jetë në harmoni me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian.

Ajo tha se Kroacia mbështet deklaratat e kancelares Angela Merkel të bëra në Beograd në mbështetje të tërësisë territoriale të Kosovës.

Dialogu është rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve, tha Kosor, duke ofruar mbështetjen e Zagrebit në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

“Tërësia territoriale e Kosovës dhe kultivimi i të drejtave të barabarta për secilin individ, qytetar apo komunitet janë çështje të cilat Kroacia i mbështet në vazhdimësi” tha kryeministrja kroate.

Ajo deklaroi po ashtu se populli kroat dhe ai i Kosovës kanë miqësi të vjetër, por kjo miqësi ishte ripërtrirë edhe gjatë luftës së fundit kundër regjimit të tiranit Sllobodan Milosheviq.

“Në Kroaci mund të gjeni mikun më të mirë në Evropën Juglindore dhe në këtë ju mund të llogarisni edhe në të ardhmen”, i është drejtuar kryeministrit të Kosovës, kryeministrja Kosor.

Kosor u ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të angazhohen për përmirësimin e pozitës së komunitetit kroat në Kosovë, për çka ajo tha se ka marrë edhe zotimet e qeverisë se do të ketë lëvizje konkrete.

Ndërkohë, kryeministri Thaçi ka siguruar zonjën Kosor se qeveria e Kosovës do të rris angazhimin për bashkëpunim me Kroacinë.

Ndërkaq në aspketet e brendshme, ai edhe njëhërë tha se në Kosovë do të ketë shtrirje të autoritetit, përfshi edhe pjesën veriore, kurse i paralajmëroi strukturat paralele se i pret ballafaqimi me ligjin dhe drejtësinë.

Ndryshe, Kosor dhe delegacioni nga Kroacia pritet të takojnë edhe përfaqësuesit ndërkombëtar, komandantin e KFOR-it, Erhard Byhler, komunitetin e biznesit, ushtarët kroat në kuadër të KFOR-it si dhe komunitetin kroat që jeton në qytezën e Janjevës.
XS
SM
MD
LG