Ndërlidhjet

Davutogllu po vazhdon vizitën e tij në Kosovë


Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Ahmet Davutogllu, po qëndron në Kosovë, ku tashmë ka zhvilluar takime të ndryshme me udhëheqësit kosovarë.

Pas takimit me kryeministrin Hashim Thaçi, Davutogllu është takuar edhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ministri Davutogllu ka shprehur përkrahje të fuqishme të shtetit të tij për Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në aspektin e sovranitetit dhe të integritetit territorial.

Sipas tij, Turqia i kushton një rëndësi shumë të madhe integritetit dhe sovranitetit të Kosovës.

“Ne nuk dëshirojmë që në Kosovë të ketë struktura paralele dhe dëshirojmë që Kosova të ushtrojë sovranitetin në gjithë territorin e saj”, ka thenë ai.

Duke shprehur mbështetje për dialogun Prishtinë-Beograd dhe duke uruar që ky dialog të ketë rezultate pozitive, ministri i Jashtëm turk ka thënë se vizioni rajonal i Turqisë është që në Ballkan të krijohet një oazë e paqes dhe zhvillimit ekonomik.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar lart marrëdhëniet politike, diplomatike por edhe ekonomike mes dy vendeve.

“Turqia është një vend që ka një peshë të veçantë ekonomike, rajonale dhe globale dhe Republika e Kosovës është një treg shumë atraktiv për investimet turke”, ka thënë ministri Hoxhaj.
XS
SM
MD
LG