Ndërlidhjet

File: Njohja e Kosovës nuk është kusht formal për Serbinë


Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Serbia që të përpiqet t’i normalizoj raportet me Kosovën, në vigjile të rundit të sotëm të bisedimeve, që janë të parat prej tensioneve në pjesën veriore të Kosovës.

“Është vitale që vazhdimi i dialogut Beograd – Prishtinë tash të japë rezultate të mëtejshme, që do ta përmirësojnë jetën e njerëzve dhe e forcojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, tha Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Shtefan File.

Këto komente ai i bëri pas takimit me liderin e Partisë Serbe Progresive opozitare, Tomisllav Nikoliq, në Bruksel, pasi politikani serb pyeti nëse njohja e Kosovës është kusht që Serbia ta fitoj statusin e synuar të kandidatit për pranim në BE.

“E kam përsëritur pozicionin e mirënjohur të Komisionit Evropian se, derisa njohja e Kosovës nuk është kusht formal për procesin integrues evropian të Serbisë, zgjidhjet duhet të gjinden për një numër të çështjeve, të cilat ende e parandalojnë normalizimin e marrëdhënieve”, tha zoti File, në një deklaratë.

Në këtë kuadër, ai theksoi se “e ka inkurajuar zotin Nikoliq dhe partinë e tij, si dhe aktorët politikë serbë, që janë të etur për t’i avancuar aspiratat evropiane të Serbisë, të veprojnë në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi në periudhën e ardhshme”.
XS
SM
MD
LG