Ndërlidhjet

Sanduall: Po hetohet sulmi në aneksin e Ambasadës së SHBA-ve


Zëdhënësi i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kabul, Gejvin Sanduall, tha sot se nuk dihet motivi i sulmit në një aneks të Ambasadës.

“Në këtë kohë ne nuk e dijmë se cili ishte motivi prapa këtij sulmi dhe po zhvillohen hetime. Dëshiroj të them se ne shprehim keqardhje për çdo jetë të humbur në incident dhe dërgojmë ngushëllime nga thellësia e zemër për familjet”, tha Sanduall.

Më herët gjatë ditës, Ambasada Amderikane ka njoftuar se një punonjës afgan e ka vrarë një shtetas amerikan dhe një tjetër e ka plagosur, në “një incident me të shtëna” në një aneks të Ambasadës.

Zëdhënësi Sanduall tha se punonjësi afgan, poashtu, ishte vrarë në incident, që ndodhi të dielën në mbrëmje.

Besohet se aneksi shfrytëzohet nga agjencia CIA, e cila ka refuzuar që të bëjë komente lidhur me incidentin.

Shtetasi amerikan i plagosur, për të cilin zëdhënësi Sanduell, tha se “nuk është në rrezik për jetë”, është evakuuar në një spital ushtarak në Afganistan.

Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për këtë sulm.

Ky incident ndodhi dy javë pasi persona të armatosur e patën sulmuar Ambasadën e Shteteve të Bashkuara dhe kompleksin qeveritar në Kabul, duke vrarë 25 vetë.

Javën e kaluar në Kabul, nga një sulmues vetëvrasës me bombë, u vra edhe ish presidenti i Afganistanit, Burhanudin Rabani.
XS
SM
MD
LG