Ndërlidhjet

Gabimet jo të rralla në diagnostikim


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Gabimet mjekësore vazhdojnë të jenë një shqetësim edhe për vetë strukturat shëndetësore.

Mungesa e raportimit nga ana e personelit mjekësor për raste të vdekjes, e bën të pamundur transparencën se sa pacientë realisht vdesin nga gabimet që bëhen në diagnostikim apo edhe nga dhënia e terapisë.

Suzana Gashi, familjare e një pacienti, tregon se për shkak të mosdijes së mjekut në dhënien e ndihmës së parë pacientit, në Qendrën Emergjente në QKUK, i është keqësuar gjendja shëndetësore.

Të njëjtit i është dashur të udhëtojë jashtë vendit për diagnostikim.

Një i afërm i familjes sime, madje në moshë shumë të re, në moshën 35 vjeçare, është lajmëruar në emergjencë, ka pasur problem me zemër. Mirëpo, mjeku e ka kthyer prapa, duke i thënë se nuk është asgjë tjetër, pos një shqetësim".

"Merreni me mend se çka i ka dalë shqetësimi... i është dashur të vendosë stendë në zemër, sepse ka pasur sulm në zemër. Kjo është identifikuar pasi që ka udhëtuar jashtë vendit
”, thotë Gashi.

Vetë profesionistët shëndetësorë thonë se ka gabime në diagnostikim të pacientëve. Sipas tyre, rastet nuk janë të rralla.

Mjerisht në Kosovë, ka lëmi që nuk kanë protokoll fare, dhe trajtohen në mënyra të ndryshme nga mjekët e ndryshëm...

Arsim Morina, neurokirurg, thotë për Radion Evropa e Lirë, se në mungesë të protokolleve për sëmundje të caktuara, gabimet ndodhin dhe nuk zbulohen.

Normalisht që ndodhin gabime aty ku punohet. Por, gjithmonë është intenca që sa më pak të ketë gabime, e që të ketë pak gabime, atëherë duhet të ketë protokolle. Në çdo lëmi, për sëmundje të caktuara duhet të jenë edhe protokollet për trajtimin e tyre".

"Mjerisht në Kosovë, ka lëmi që nuk kanë protokoll fare, dhe trajtohen në mënyra të ndryshme nga mjekët e ndryshëm; kurse në perëndim sigurisht që statistikat janë të sakta dhe edhe përkundër protokolleve ndodhin gabime, e të mos flasim që te ne nuk ka protokolle, e gabimet janë më të shprehura
”, shprehet Morina.

E ministri i shëndetësisë Ferid Agani, thotë se çështja e raportimit të gabimeve mjekësore është në kompetencën e ministrisë që ai udhëheq, derisa, siç thotë ai, nuk do të duhej të ishte.

Sipas tij, duhet të formohet Oda e Mjekëve të Kosovës, në mënyrë që kjo çështje të jetë në kompetencë të plotë të kësaj ode.

Çështja është në kompetencën e Ministrisë së Shëndetësisë, do t’i shfrytëzojmë përvojat evropiane në këtë drejtim dhe kjo do të jetë në kompetencën e Odës së Mjekëve dhe profesionistëve shëndetësorë, sepse ata janë më të thirrur që të vlerësojnë kolegët e tyre, dhe atë jo t’i vlerësojnë vetëm kur të bëhen gabimet, por t’i ndihmojnë ata në procesin e edukimit mjekësor, zhvillimit të vazhdueshëm profesional, mbikëqyrjes së punës së tyre në baza ditore”, thekson Agani.

Zoti Agani pohon se gabimet profesionale janë pjesë e punës së mjekëve, mirëpo sistemi i monitorimit është më i dobët sesa që duhet të jetë, dhe sipas tij, kjo paraqet njërin nga objektivat për iniciativën e themelimit të Odës së Mjekëve.

Por, Arsim Morina është skeptik se kjo odë, edhe me formimin e saj do të funksionojë si duhet.

Për Odën e Mjekëve, nëse menaxhohet sikur që është menaxhuar deri tash edhe QKUK-ja edhe shumë lëmi shëndetësore, jam skeptik. Por, në qoftë se me të vërtetë punohet, atëherë është shpresëdhënëse të ketë sukses”, thotë ai.

Sidoqoftë, zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë kanë pohuar se nëse nuk raportohen rastet e vdekjeve nga gabimet mjekësore, qoftë nga vetë profesionistët shëndetësorë apo edhe nga familjarët, nuk do të dihet se sa është numri i saktë i këtyre rasteve.
XS
SM
MD
LG