Ndërlidhjet

Sfidat e regjistrimit të popullsisë


Shkup
Shkup
Regjistrimi i popullsisë në Maqedoni ka vazhduar edhe sot, por në vendbanime të ndryshme janë paraqitur problemet e një dite më parë, me mungesën e regjistruesve shqiptarë - kryesisht në zonat ku numri i popullatës shqiptare është më i vogël. Në Komisionin Shtetëror për Regjistrim besojnë në kapërcimin e shpejtë të pengesave, që ky proces të marrë drejtimin e duhur.

Do të përballemi me sfida të caktuara të karakterit teknik, por kjo është pjesë e këtij procesi sfidues. Megjithatë, besoj se në afatin sa më të shkurtër të mundshëm, në koordinim më Komisionin Shtetëror të Regjistrimit, do të tejkalohen të gjitha pengesat, me të vetmin qëllim që ky proces të përfundojë me sukses”, u shpreh kryetarja e Komisionit, Sllobodanka Gievska.

Qeveria, në një seancë të jashtëzakonshme, ka urdhëruar të gjitha institucionet dhe ndërmarrjet në vend, që të lirojnë nga obligimet të gjithë punonjësit që janë caktuar në kryerjen e regjistrimit.

“Qeveria përkujton të gjitha institucionet shtetërore, e posaçërisht Entin Shtetëror për Statistikë, se janë të obliguara të sigurojnë përkrahje maksimale logjistike për aktivitetet që i realizon Enti Shtetëror për Regjistrim”.

“Komunave u rekomandohet që të sigurojnë ndihmë maksimale dhe përkrahje në terren për të gjithë ata që janë të përfshirë në regjistrim të popullsisë në Maqedoni“,
tha zëdhënësi i qeverisë, Muhamet Hoxha.

Kryetarja e Komisionit Shtetëror për Regjistrim, Sllobodanka Gievska, u bëri thirrje të gjitha subjekteve politike të mos e politizojnë procesin, por përkundrazi ta ndihmojnë, pasi mbyllja e tij me sukses, sipas saj, është në të mirën e të gjithëve.

“Ky është një operacion statistikor që do të mundësojë jo vetëm të mësohet numri i përgjithshëm i popullatës, por të bëjmë edhe planet e zhvillimit për të ardhmen. Andaj, çdo keqpërdorim i këtij procesi për qëllime politike, do të ishte papërgjegjësi e madhe ndaj shtetit”, tha Gievska.

Përkundër kësaj, Lidhja Social-Demokrate e opozitës ka përsëritur dyshimet mbi rregullshmërinë e regjistrimit.

“Për të gjitha keqpërdorimet politike të procesit të regjistrimit dhe të rezultateve të tij, përgjegjëse do të jetë Qeveria e Nikolla Gruevskit. Zhvillimet e fundit janë dëshmi e qartë se partnerët e koalicionit qeveritar ende nuk u kanë dhënë fund pazareve në dëm të shtetit dhe qytetarëve të tij”, u shpreh zëdhënësi i Lidhjes Social-Demokrate, Emilijan Stankoviq.

Procesi i regjistrimit të popullsisë do të zgjasë deri më 15 tetor, por drejtues të Komisionit Shtetëror të Regjistrimit nuk e përjashtojnë mundësinë e shtyrjes së tij për disa ditë, në rast se për këtë paraqitet nevoja.

Regjistrimi po mbikëqyret nga një delegacion i Eurostat-it, i cili, ditë më parë, dha vlerësime pozitive për përgatitjet e bëra, duke shprehur bindjen e mbylljes së tij me sukses.

Rezultatet e para preliminare do të publikohen në nëntor, kurse ato përfundimtare nga fundit i vitit të ardhshëm.

Interes të jashtëzakonshëm në këtë proces regjistrues ka përbërja etnike e popullatës, e në veçanti përqindja e shqiptarëve.
XS
SM
MD
LG