Ndërlidhjet

OKB: Numri i të vrarëve në Siri – mbi 3 mijë


Komisionarja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Navi Pillai, thja sot se numri i të vrarëve nga goditja ndaj protestuesve anti-qeveri në Siri, ka arritur në më tepër se 3 mijë.

Ajo ka bërë thirrje për aksion ndërkombëtar për ta evituar atë që mund të jetë “luftë e plotë civile” në Siri.

Sipas saj, 100 njerëz raportohet se janë vrarë në Siri në 10 ditët e fundit.

Kjo deklaratë e zyrtares së lartë të OKB-së u bë në periudhën kur një numër në rritje i ushtarëve dhe oficerëve kanë dezertuar nga ushtria e Sirisë.

Veprimtarët opozitarë thanë se nga përleshjet ndërmjet forcave qeveritare të sigurisë dhe personave të armatosur, që besohet se janë dezertorë ushtarakë, janë vrarë së paku 20 persona, prej ditës së djeshme, në provincën qendrore Homs dhe në atë veriore Idlib.

Qeveria i ka konfirmuar luftimet në Homs dhe Idlib dhe tha se 10 zyrtarë të sigurisë dhe një numër i paspecifikuar i “personave të armatosur” ishin vrarë gjatë luftimeve.
XS
SM
MD
LG