Ndërlidhjet

Maqedoni: Dallimet mes partnerëve të koalicionit


Qeveria e Maqedonisë
Qeveria e Maqedonisë
Pikëpamjet diametralisht të kundërta për çështjen e integrimit mes dy partive në pushtet, VMRO-DPMNE-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim, vlerësohen të dëmshme, jo vetëm për procesin e integrimit të Maqedonisë, por edhe për vetë raportet brenda vendit.

Derisa VMRO-DPMNE, e në veçanti kryeministri Gruevski kritikon Raportin e Progresit për Maqedoninë dhe plason kritika të njëpasnjëshme ndaj Bashkimit Evropian për qasje joreale dhe pozicion nënçmues ndaj vendit, BDI-ja, nga ana tjetër, kritikat e BE-së i vlerëson si reale, ndërsa thekson gatishmëtrinë e përmbushjes së çdo kriteri që shtrohet nga Brukseli.

Duke komentuar pozicionet e këtilla, analisti Mersel Bilalli në veçanti kritikon BDI-në, e cila, sipas tij, fillimisht duhet të dalë me qëndrim të qartë sa u përket pozicioneve të Gruevskit.

“Jam i mendimit se ata definitivisht duhet të kuptojnë se kryeministri është duke bërë obstruksione serioze në proceset euro-atlantike dhe për këtë edhe ata mbajnë përgjegjësi objektive. Prandaj, duhet ta rishqyrtojnë këtë çështje, pra çështjen e zgjidhjes së emrit”, thotë Bilalli.

Politologu Etem Aziri ngre dilemat e kapaciteteve të BDI-së për të kundërshtuar, siç shprehet, politikat anti-integruese të Gruevskit.

“A ka BDI kapacitete që të mos heshtë - kjo është pyetje që kjo parti duhet t’ia parashtrojë vetvetes, kjo është pyetje që opinioni shqiptar duhet t’ia parashtrojë BDI-së. Pra, çëshjta e kapaciteteve është në pyetje, e jo dëshira apo mosdëshira”, thotë Aziri.

Sipas tij, integrimi i Maqedonisë nuk varet dhe aq shumë nga Gruevski, sa fuqitë tjera.

“Integrimi i Maqedonisë do të ndodhë ndoshta kur më së paku këtë do ta dëshironte VMRO-ja, apo ndoshta edhe kur nuk do ta dëshirojë aspak, nga shaku se bëhet fjalë për plane dhe agjenda shumë më të mëdha dhe Maqedonia është një lojtar shumë i vogël për këto lojëra të mëdha”, shprehet Aziri.

Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë përsëritur qëndrimin tashmë të publikuar edhe më parë për procesin e integrimit.

Nga kjo parti kanë thënë se pavarësisht qëndrimeve të të tjerëve, BDI-ja mbetet e përkushtuar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Ky përkushtim mbetet edhe prioritet i Qeverisë së Maqedonisë, pjesë e së cilës është edhe BDI-ja”, thuhet në reagimin e kësaj partie, por pa dhënë ndonjë qëndrim mbi pozicionin e partnerit të koalicionit qeverisës, kryeministrit Gruevski, i cili që tani parasheh se Raporti i Progresit i vitit të ardhshëm do të jetë negativ dhe me këtë Maqedonisë do t’i merret statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE.

Pavarësisht kësaj, dallimet mes partive politike për çështjet e integrimit vërehen edhe në mesin e qytetarëve të parkatësive të ndryshme etnike.

Mirjana Malevska, njohëse e ndërenticitetit, thotë se partitë duhet të kenë kujdes që me veprimet e tyre të mos përkeqësojnë raportet edhe ashtu të ndjeshme, por të punojnë për arritjen e qëllimeve strategjike të qytetarëve.

“Nëse i shihni anketat që po realizohen, do të shihni pikëpamje diametralisht të kundërta mes dy bashkësive entike, përfshirë dhe çështjet e integrimit. Shqiptarët me çdo çmim janë për inkuadrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian, por kështu nuk mendojnë edhe maqedonasit”.

“Pra, ka ndasi në shoqëri për çështjet më të rëndësishme dhe nëse vazhdohet edhe më tej në këtë drejtim, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë përshkallëzimi të mëtejmë ndëretnik”,
thotë Malevska.
XS
SM
MD
LG