Ndërlidhjet

Maqedoni: Partitë, fajtore për tensionet ndëretnike


Shkup - Foto nga arkivi
Shkup - Foto nga arkivi
Një studim që është në hartim e sipër nga Qendra për Tolerancë Ndëretnike nxjerr të dhëna preliminare pozitive në raport me marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni.

Raportet nga kjo qendër hartohen çdo vit dhe kryesisht realizohen në zona të përziera etnike.

Drejtuesi i qendrës, Vllado Dimov, thotë se, ditëve të fundit, është vërejtur një ndryshim i vogël negativ, pas paraqitjes së Raportit të Progresit, por kjo, sipas tij, nuk e dëmton vlerësimin e përgjithshëm mbi të dhënat pozitive në raport me ndëretnicitetin.

“Pas publikimit të Raportit të Komisionit Evropian për Maqedoninë, kemi paralajmërime për përkeqësim të vogël të këtyre raporteve, por për momentin ato janë në nivelin e dëshirueshëm. Ekipet tona punojnë kryesisht në zona të përziera etnike”.

“Të dhënat që kemi, flasin se pjesëtarët e bashkësive të ndryshme etnike bashkëpunojnë mes vete, por shpesh ndodh që, për shkak të presioneve të partive politike, ata mbyllen në vete apo kërkojnë kohë për mirëkuptim”,
deklaron Dimov.

Sipas Qendrës për Tolerancë Ndëretnike, politika është ajo që ndikon si në ngritjen, ashtu edhe në uljen e tensioneve ndëretnike.

Dimov thotë se për momentin tensionet më tepër vërehen mes partive, sesa te qytetarët, por kjo, sipas tij, nuk do të thotë se ato nuk mund të reflektohen edhe te qytetarët, nëse nuk ndërmerren masa për uljen e tyre.
...më tepër kemi ndasi politike, sesa ndasi ndëretnike në Maqedoni, por kjo mund të ketë reflektime negative ndaj këtyre raporteve.

“Mendoj se më tepër kemi ndasi politike, sesa ndasi ndëretnike në Maqedoni, por kjo mund të ketë reflektime negative ndaj këtyre raporteve. Pra, nga hulumtimet tona në terren rezulton se politikanët janë fajtorët kryesorë për përkeqësimin e raporteve ndëretnike”, thotë Dimov.

Edhe organizatat joqeveritare thonë se nga aktivitetet e tyre në terren, kanë konstatuar raporte jo të mira ndëretnike, por për këtë fajin kryesor ua hedhin partive politike, kryesisht atyre në pushtet.
Divergjencat, mospajtimet, kontradiktat, objektivat diametralisht të kundërta gjithsesi se i rrezikojnë, i tensionojnë marrëdhëniet edhe ashtu të ndërlikuara mes komuniteteve.

“Divergjencat, mospajtimet, kontradiktat, objektivat diametralisht të kundërta që mund t'i kenë partnerët e koalicionit - t’i quajmë partnerë sepse pesha e vendimmarrjes nuk është e njëjtë në mes të partive, kushtimisht thënë në qeveri, atyre shqiptare dhe maqedonase - gjithsesi se i rrezikojnë, i tensionojnë marrëdhëniet edhe ashtu të ndërlikuara, të tensionuara mes komuniteteve”.

“Kjo nuk i konvenon as procesit të integrimit evropian e as atij të integrimit të brendshëm mes grupeve të ndryshme etnike”,
thotë Valon Kurtishi nga Organizata “Ilirikum Libertas”.

Mirjana Najçevska, pjesëmarrëse në disa hulumtime mbi raportet ndëretnike, thotë se institucionet janë ato që duhet t’iu kushtojnë vëmendje të jashtëzakonshme këtyre raporteve, pasi, sipas saj, edhe 10 vjet pas konfliktit, ato nuk janë në nivelin e duhur.

“Mendoj se duhet shumë më tepër të punohet në përmirësimin e marrëdhënieve ndëretnike, në ngritjen e mëtejme të besimit mes dy bashkësive më të mëdha etnike. Konsideroj se politika që aktualisht po udhëhiqet në Maqedoni, nuk i kontribuon kësaj, pasi, për momentin, vetëm njëra bashkësi etnike është në qendër të vëmendjes - ajo maqedonase. Kjo i dëmton bashkësitë tjera etnike dhe për pasojë përkeqëson raportet mes tyre”, thotë Najçevska.

Edhe organizatat tjera joqeveritare, si dhe faktorë të jashtëm, kanë apostrofuar pikërisht projektet e tilla, siç është edhe ai i ngritjes së monumenteve dhe përmendoreve të shumta të kulturës dhe historisë maqedonase, që ndikojnë negativisht në raportet mes bashkësive më të mëdha etnike në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG