Ndërlidhjet

Skeptikë për projektin e ri të arsimit


Ilustrim
Ilustrim
Ministri për Shoqëri Informative, Ivo Ivanovski, vlerëson se me shpërndarjen e librave elektronikë për klasat e pesta dhe të gjashta, kontribuohet në zhvillimin më të shpejtë të arsimit në vend, si dhe përgatitjen e një gjenerate të re, e cila do të jetë më konkurruese në tregun e punës konform kushteve të vendeve të Bashkimit Evropian.

Ministri Ivanovski, gjithashtu, hedh poshtë pretendimet e punonjësve të arsimit se bëhet fjalë për projekt, i cili nuk gjen zbatim nëpër shkolla si pasojë e mungesës së kushteve për t’u aplikuar mësimi me kompjuter.

“Nëse projekti nuk do të funksiononte, atëherë nuk do të mund t’i shfrytëzonim këto aplikacione. Në shtator 2010 janë regjistruar 6800 klikime, ose shkarkime prej 25 gigabajt, dhe kjo është një vizitë e madhe, domethënë interneti funksionon. Gjithashtu, më duhet të theksoj se funksionon dhe projekti ‘kompjuter për çdo fëmijë’. Mund të futemi edhe në detaje, ku vetëm një njësi e librit të Biologjisë ‘Frymëmarrja dhe sistemi respirator’ është lexuar mbi 9 mijë herë, fakt ky që dëshmon të kundërtën”, thotë Ivanovski.

Por, Nuhi Dardhishta, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë thekson se projekti në fjalë vështirë gjen zbatim në praktikë për shkak të kushteve të vështira nëpër shkolla, veçanërisht ato shqipe, si dhe mungesës së programeve adekuate.

Nuk janë bërë përgatitjet e duhura për vendosjen e kompjuterëve nëpër shkolla. Kompjuteri hyn në funksion nëse i ka të instaluara programet adekuate në të, e programet nuk janë hartuar deri më sot. Pastaj, disa shkolla as që i kanë instaluar fare kompjuterët, si pasoj e keq-shpërndarjes së obligimeve. Disa është dashur t’i bëjë Ministria e Arsimit, e disa të tjera ajo e Shoqërisë Informative dhe mosmarrëveshjet e tyre kanë bërë që shkollat, në mungesë të kushteve elementare, i kanë vendosur kompjuterët nëpër bodrume”, thekson Dardhishta.

Në këtë drejtim, ministri për Shoqëri Informative, Ivo Ivanovski, thotë se është krijuar edhe një komision, i cili gjatë vizitave që do t’u bëhen shkollave fillore, do të vlerësojë saktë se sa shfrytëzohen kompjuterët, dhe atje ku dhe do të vërtetohet se projekti qeveritar “Kompjuter për çdo nxënës” nuk funksionon, do të merren sanksione në pajtim me Ligjin për arsimin fillor.

Ndërkaq, kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta, thekson se për inkuadrimin e mirëfilltë të kompjuterëve në procesin arsimor, duhet paraprakisht të trajnohen arsimtarët.

Dardhishta thotë se dikasteri Arsimit në Maqedoni ndan mjete në formë përzgjedhëse, duke anashkaluar jo rrallëherë arsimtarët shqiptarë.

“Duhet të bëhet një trajnim i mirëfilltë i të gjithë arsimtarëve dhe të përcaktohen programe të qarta, me të cilat duhet të ligjërojnë mësuesit dhe fëmijët të nxënë mësimin. Pra, duhet të organizohet një trajnim universal për të gjithë mësuesit në Maqedoni dhe jo diku të trajnohen dhe diku jo, varësisht nga komunat e caktuara”, shprehet Dardhishta.
XS
SM
MD
LG