Ndërlidhjet

Serbia përfiton nga destabilizimi


Pamje nga veriu...
Pamje nga veriu...
Situata e tensionuar në veri, me barrikadat në rrugë, dhe siç thuhet me potencial të shpërthimit të dhunës, mund të ndikojë edhe në stabilitetin e rajonit, thonë ekspertë të sigurisë.

Njëri nga ta, Ramadan Qehaja, thotë se mllefi te popullata shumicë është shumë i madh, në kohën kur gjendja në terren mbetet e pandryshueshme.

“Pra ky është problemi më i madh dhe problemi tjetër është se nga kjo pakënaqësi mund të kemi edhe implikime tjera këtu në rajon, mund të kemi edhe në Luginë të Preshevës, edhe në Maqedoni, por edhe gjetiu".

Mund të ndodhë që të kemi një fërkim ndërnacional edhe këtu në Kosovë, nëse gjërat nuk marrin kahje pozitive...
"Mund të ndodhë që të kemi një fërkim ndërnacional edhe këtu në Kosovë, nëse gjërat nuk marrin kahje pozitive, nëse nuk ka vendosmëri të bashkësisë ndërkombëtare, e para se gjithash të organizatës politiko-ushtarake siç është NATO-ja. Do të thotë gjërat mund të na dalin jashtë kontrollit”, shprehet Qehaja.

Veriu i Kosovës, si një vatër e vazhdueshme e nxehtë, ka qenë shpesh dhe arenë e incidenteve ndëretnike mes serbëve që përbëjnë shumicën në atë shqiptarëve.

Në muajt e fundit, në shumë rrugë të komunave veriore janë vendosur barrikada nga ana e serbëve lokalë, me qëllim të pengimit të qarkullimit të lirë për organizatat ndërkombëtare, si KFOR-i e EULEX-i.

E tërë kjo, në kundërshtim të vendosjes së doganierëve dhe policëve kosovarë në pikat kufitare në Jarinë dhe Bërnjak, të cilat qenë shkatërruar nga serbët pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Eksperti për çështje të sigurisë, Agim Musliu thotë se nga kjo situatë po përfiton politikisht Serbia.

Është parë qartë se KFOR-i ka marrë një komponentë tjetër, atë politike dhe po kalkulon politikisht mes Brukselit, Prishtinës e Beogradit, i cili tash për tash është në një avantazh politik e që kalkulon në mes të dhunës dhe favoreve që i kërkon nga bashkësia ndërkombëtare".

"Kësaj i nënshtrohet, me qëllim, me dije apo pa dije dhe bashkësia ndërkombëtare lojtarin kyç, që e kanë në Kosovë i cili është i ngarkuar për sigurinë të përgjithshme, i cili është KFOR-i, nuk shfrytëzohet për atë që e kanë mandatuar edhe OKB-ja, por edhe vetë misioni në Kosovë edhe premtimet e tyre të dhëna të hiqen këto barrikada dhe pengesa në veri të Kosovës. Misioni nuk është kryer, ka ngecur aty ku ka filluar
”, u shpreh Musliu.

Bisedimet e vazhdueshme mes KFOR-it dhe të përfaqësuesve të serbëve lokalë, vazhdojnë të mos japin rezultatet konkrete, meqë ende nuk është siguruar liria e plotë e lëvizjes për të gjithë.

Situata mbetet e qetë dhe ka protestues në barrikada, por asgjë e veçantë nuk ka ndodhur gjatë vikendit, nuk kemi pasur as incidente, as asgjë.
Situata mbetet e qetë dhe ka protestues në barrikada, por asgjë e veçantë nuk ka ndodhur gjatë vikendit, nuk kemi pasur as incidente, as asgjë. Sidoqoftë KFOR-i po shikon të arrijë lëvizje të lirë për çdokënd, përfshirë KFOR-in edhe EULEX-in".

"Ne ende po presim të shohim se çka po bën Beogradi me barrikadat në territorin serb si në portën 1 ashtu edhe në atë 31m, që nga e premtja kemi barrikada të reja atje”, tha zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki.

Ndërkohë, Ramadan Qehaja, shfaq druajtjen nga realiteti i ri i krijuar në terren.

Sa i përket KFOR-it, përkundër tentimit për një angazhim të mirëfilltë, kjo nuk ndodhi, pasi që KFOR-i lejoi që serbët të përforcohen për një kohë të gjatë, të bëhen barrikada mbi barrikada".

"Në këtë mënyrë të jenë të avancuar dhe me mbrojtjen e tyre territoriale që e kanë atje, me strukturat tjera që kanë të bëjnë me MPB-në e Serbisë, me shërbimet inteligjente, janë të ‘betonuar’, që atë pjesë mos ta dorëzojnë. Ne nuk e kontrollojmë aspak atë pjesë të territorit e si duket as EULEX nuk e bën këtë, përveç KFOR-it që ekziston atje me këto probleme”, tha Qehaja.

Eksperti tjetër i sigurisë, Agim Musliu, mendon se të gjitha zhvillimet në veri janë të orkestruara nga Beogradi zyrtar.

Kjo është një formulë e parë në Ballkan e Beogradit. E kemi parë në Kroaci, Bosnje dhe Kosovë. Po mos të kishte presione të dhunës, Beogradi zyrtar do të duhej edhe 10 vjet për aplikuar për në BE, kështu po i shkurtohet rruga brenda një kohe të shkurtër dhe në kurriz të Kosovës do të fitojë favore tjera përveç anëtarësimit në BE”, tha Musliu.

Komisioni Evropian ka rekomanduar për Serbinë, statusin e kandidatit, por me kusht që të vazhdojë dialogun me Kosovën. Por, pala serbe ka dalë nga dialogu teknik, për shkak se Prishtina dhe Brukseli nuk u pajtuan që të diskutohet veriu në bisedime.

Ende nuk është caktuar ndonjë datë për rifillimin e tij, ndërsa Bërnjaku dhe Jarina, dy pikat në kufi me Serbinë, vazhdojnë të mbesin dy vendbanimet më të përmendura në secilin edicion lajmesh në mediat kosovare.
XS
SM
MD
LG