Ndërlidhjet

Maqedoni: Pritjet nga GJND-ja


Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë
Në mungesë të nismave për zgjidhjen e kontestit me Greqinë, autoritetet në Shkup kanë përqendruar tani vëmendjen te Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, e cila, këtyre ditëve, pritet të japë mendimin lidhur me padinë e ngritur nga Maqedonia për shkeljen e marrëveshjes së përkohshme nga ana e Greqisë.

Në fakt, sipas zyrtarëve, “kjo marrëveshje e arritur në vitin 1995 obligonte Greqinë që të mos pengojë anëtarësimin e Maqedonisë në strukturat euroatlantike me shkurtesën IRJM, por që Greqia nuk e ka respektuar pasi e ka bllokuar anëtarësimin e vendit në NATO dhe caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE”.

Një mendim pozitiv nga GJND-ja, sipas autoriteteve, do të ishte edhe një dëshmi për Brukselin që pavarësisht mosmbylljes së kontestit, të zhbllokojë procesin e integrimit të Maqedonisë.

Duke komentuar pritjet e këtilla të Qeverisë së Maqedonisë, Osman Kadriu, ekspert i çështjeve juridike, thotë se vendimi i GJND-së, nuk është obligues, jo vetëm për Greqinë, por as për shtetet tjera të BE-së, ku vendimet merren me konsensus dhe si rrjedhojë e kësaj, Maqedonia nuk mund të presë ndryshim të raporteve kundrejt integrimit të vendit.

“ Edhe sikur të jetë vendimi negativ për Greqinë dhe të konstatohet se ajo ka bërë shkelje, mendoj se një vendim i tillë nuk do të prodhojë efekte juridike dhe politike, meqenëse edhe karakteri i vendimit është më tepër këshillëdhënës, sesa një bazë juridike për ekzekutim që të kërkohen veprime konkrete, njohje konkrete e kështu me radhë ”, thotë Kadriu.

Maqedonia ka ngritur padi në GJND, për shkeljen e marrëveshjes së përkohshme nga ana e Greqisë.
Maqedonia ka ngritur padi në GJND, për shkeljen e marrëveshjes së përkohshme nga ana e Greqisë.
Edhe ish-diplomatët nuk presin ndonjë ndryshim sikur dhe të jetë mendimi i GJND-së në favor të Maqedonisë. Denko Maleski, ish-ministër i Jashtëm thotë se as Evropa, e aq më pak SHBA-të, do të bënin ndonjë presion plotësues ndaj Greqisë për zgjidhjen e çështjes së emrit, për faktin se interes i perëndimit për momentin është nxjerrja e këtij vendi nga kriza e thellë ekonomike, që po përhapet dhe në vende tjera të Evropës.

“ Tema ekonomike është shumë e rëndësishme për të gjithë, është me rëndësi për Evropën, me rëndësi për SHBA-të. Dalja e Greqisë nga kriza ndërlidhet me mbijetesën e euros, andaj mendoj se interesat e BE-së dhe të SHBA-së janë të atilla që ato do të jenë shumë të kujdesshme të mos bëjnë presione plotësuese ndaj Greqisë për çështje tjera, përfshirë atë për emrin me Maqedoninë”, shprehet Maleski.

Ndërkohë, Xhelal Neziri, analist politik, vlerëson se në rrethana të këtilla, Maqedonia është ajo që duhet të inicojë dhe jo të presë nga të tjerët zgjidhjen e problemit të saj. Sipas tij, çështja e emrit duhet të zgjidhet sa më parë pasi nga kjo varet e ardhmja e vendit.

“ Maqedonia duhet të vendosë për pranimin e kompromisit që ky kompromis më pas t'ia hapë asaj dyert për në Bashkimin Evropian dhe në NATO, si garanci për ekzistimin e shtetit. Në të kundërtën, do të vihej në rrezik sovraniteti i Maqedonisë”, vlerëson Neziri.

Nisma për zgjidhjen e shpejtë janë kërkuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë që lobojnë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Ditë më parë, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Jelko Kacin, nënkryetar i delegacionit për Evropën juglindore në Parlamentin Evropian, ua ka bërë të qartë autoriteteve në Shkup që në dhjetor të mos presin caktim të datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

Kacin ka kritikuar qasjen e politikanëve maqedonas, jo vetëm ndaj zgjidhjes së këtij problemi, por edhe komunikimin e ashpër me zyrtarët evropianë.

Mendoj se ka ardhur koha që njerëzit t’i hapin sytë dhe jo vetëm t’i parashtrojnë pyetje konkrete garniturës së tashme qeveritare, por edhe të kërkojnë prej tyre që të bëjnë diçka edhe për Maqedoninë, e jo vetëm për veten e tyre”, ka porositur Kacin.
XS
SM
MD
LG