Ndërlidhjet

Kajro: Raportohet për 12 të vrarë gjatë fundjavës


Protestat në Sheshin Tahrir në Kajro, në të cilat po kërkohet tranzicion më i shpejtë në pushtetin civil në Egjipt, kanë hyrë në ditën e tretë.

Demonstruesit mbesin në këtë shesh, përkundër përleshjeve me forcat e sigurisë, nga të cilat raportohet se janë vrarë së paku 12 vetë gjatë fundjavës, përfshirë 10 prej vrasjeve, që kanë ndodhur ditën e diel.

Dhuna po ndodhë, pak më tepër se një javë para se egjiptianët të fillojnë të votojnë në zgjedhjet parlamentare, më 28 nëntor, që janë zgjedhjet e para prej përmbysjes së ish presidentit, Hosni Mubarak.

Raportohet se në dhunën e djeshme, qindra ushtarë dhe policë kishin përdorë gaz lotsjellës dhe plumba gome, për t’i larguar protestuesit nga Sheshi Tahrir, ish qendra e protestave, që çoi në rënien e regjimit më se 30 vjeçar të Mubarakut.

Agjencia shtetërore e lajmeve e Egjipitit, duke u mbështetur në Ministrinë e shëndetësisë, tha se 10 njerëz janë vrarë të dielën, ndërsa gjatë disa ditëve të trazirave janë plagosur afro 1700 të tjerë.

Sipas raporteve, së paku dy vetë janë vrarë nga dhuna të shtunën.
XS
SM
MD
LG