Ndërlidhjet

Maqedoni-Kosovë: Pasoja nga vendimet e njëanshme


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Qeveria e Maqedonisë, në mbledhjen e mbrëmshme, ka miratuar vendimin për heqjen e ndalesës së importit të miellit nga jashtë, përfshirë edhe Kosovën.

Sipas përfaqësuesve të Qeverisë maqedonase, vendimi do të hyjë në fuqi të martën, apo vetëm 1 javë para skadimit zyrtar të kësaj ndalese, që ka filluar të aplikohet që nga muaji gusht, me arsyetimin e mbrojtjes së prodhimit vendor.

Vendimi i qeverisë vjen pas paralajmërimeve serioze të zyrtarëve kosovarë për aplikimin e reciprocitetit me Maqedoninë. Prishtina zyrtare, vendimin e Shkupit e ka vlerësuar si të njëanshëm dhe në kundërshtim me Marrëveshjen për Tregti të Lirë mes dy vendeve, si dhe me Marrëveshjen e CEFTA-s, ku ka paralajmëruar se do ta ngrejë këtë çështje për diskutim.

Ekspertët e ekonomisë në Maqedoni thonë se me veprime të këtilla, siç ishte ky i vendosjes së masës ndaluese me Kosovën, ekzekutivi maqedonas dëshmon se nuk ka strategji të veprimit apo thellimit të marrëdhënieve ekonomike me Kosovën, përkundër faktit se kjo e fundit është ndër partnerët më të fuqishëm ekonomik të Maqedonisë.

“Këta hapa të Qeverisë së Maqedonisë asnjëherë nuk janë të motivuar për t’i mbajtur marrëdhëniet korrekte - mendoj në shkëmbimin e mallrave dhe të shërbimeve me Kosovën, edhe pse dihet se deficiti i shkëmbimit tregtar është aq i madh për Kosovën... Andaj, Maqedonia nuk duhet që me masa të tilla, ta përkeqësojë edhe më shumë këtë bilanc. Përkundrazi, që ta zbusë këtë deficit kaq të madh, ajo duhet të favorizojë çdo import nga Kosova ”, thotë Xhevdet Hajredini, ish-ministër i Financave të Maqedonisë.

Sipas tij, dëmet nga një vendim i tillë tashmë janë evidente. Ai thotë se heqja e masës vetëm një javë para skadimit të afatit, është më tepër lëshim ndaj partisë shqiptare në qeveri, për të zbutur reagimet në opinion.

CEFTA, vendet anëtare
CEFTA, vendet anëtare
Ndërkohë, Visar Ademi, ligjërues i ekonomisë, thotë se rastet e këtilla nuk duhet të përsëriten, pasi Maqedonia do të pësonte në radhë të parë, në rast të vendosjes së reciprocitetit nga Kosova. Ademi thotë se Maqedonia mund të pësojë edhe nga CEFTA, nëse Kosova ngrit çështjen e mosrespektimit të marrëveshjeve.

“CEFTA është organizatë që merret me rregullimin e marrëdhënieve tregtare mes dy shteteve. Ajo mund të imponojë edhe masa ndëshkimore ndaj qeverisë, e cila i shkel këto marrëveshje. Kosova mund të kërkojë edhe ndonjë lloj të kompensimit të dëmit ekonomik që mund ta ketë. Mendoj se një gjë e tillë nuk do të ndodhë. Kjo - për shkak se çdolloj përkeqësimi do të reflektonte edhe në ekonominë e atij shteti”, deklaron Ademi.

Shkëmbimi tregtar midis Maqedonisë dhe Kosovës, vetëm për 6 muajt e parë të këtij viti, ka shënuar rritje prej 30 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas statistikave, në 6 muajt e parë, Kosova nga Maqedonia ka importuar 243 milionë dollarë, ndërsa ka eksportuar vetëm 18 milionë dollarë.
XS
SM
MD
LG