Ndërlidhjet

Britania shton sanksionet ndaj Iranit


Qeveria britanike zbatoi sanksione të ashpra financiare ndaj Iranit për shkak të programit të tij bërthamor duke ndërprerë të gjitha marrëdhëniet ndërmjet sektorit financiar të vendit dhe bankave iraniane.

Ministri britanik i financave, Xhorxh Ozborn, njoftoi për sanksionet përmes një deklarate për media. Në deklaratë thuhet se që nga e hëna, të gjitha institucionet kreditore dhe financiare në Britani duhet të ndërpresin të gjitha transaksionet me bankat iraniane-përfshirë Bankën Qendrore të Iranit.

Ozborn tha se është hera e parë që qeveria britanike ka shkëputur sektorin e tërë bankar të një shteti nga ai financiar i Britanisë.

Në ndërkohë, agjencia e lajmeve AP citon një zyrtar unanim të Shteteve të Bashkuara të ketë thënë se Uashingtoni do të zbatojë sanksione të reja ndaj Iranit më vonë gjatë ditës duke iu bashkuar Britanisë dhe Kanadës në sanksionimin e Teheranit.

Veprimet e shteteve në fjalë vijnë pas publikimit të raportit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore që jep detaje për programin bërthamor të Iranit. Mekanizmi i OKB-së kishte shprehur “shqetësimet serioze rreth mundësisë së dimensionit të mundshëm ushtarak” të programit bërthamor të Iranit.

Mirëpo, Teherani zyrtar vazhdon të insistojë që programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.
XS
SM
MD
LG