Ndërlidhjet

Dënohet ashpër përdhosja e varrezave hebraike


Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë ka dënuar fuqimisht përdhosjen e varrezave hebraike në lagjen Velania të Prishtinës.

“Kjo vepër e urrejtjes përbën fyerje jo vetëm ndaj familjeve të të varrosurve aty dhe ndaj komunitetit hebraik në Kosovë dhe përtej, por po ashtu është fyerje ndaj shtetit dhe shoqërisë shumetnike kosovare. Kjo është një vepër e përbuzjes së normave më themelore të tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit dhe nuk mund të tolerohet”, thuhet në komunikatën e ambasadës amerikane në Prishtinë.

Kohëve të fundit, thuhet në komunikatën e amabasadës amerikane, “studentët e Universitetit Amerikan kanë marrë pjesë në një projekt të restaurimit të varrezave dhe ne e shohim këtë vepër të përdhosjes së varrezave si sulm ndaj veprës së tyre të miqësisë dhe vullnetarizmit”.

Ambasada Amerikane iu ka bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të kryejnë hetime të hollësishme lidhur me këtë incident dhe sjelljen e përgjegjësve para drejtësisë.

Me tone të ashpra kundër përdhosjes së varrezave hebraike ka reaguar edhe kongresisti amerikan Eliot Engel, që është edhe bashkë-kryetar i grupit të Kongresit për çështjet shqiptare.

Në një deklaratë për media kongresisti Engel i bëri thirrje qeverisë së Kosovës të ndëshkojë autorët e aktit në formën më të rëndë që parashikon ligji.

“Jam i indinjuar nga ky akt i urryer i përdhosjes së varrezës së hebrenjve në Prishtinë. Prekja e vendit të prehjes së anëtarëve të komunitetit të vogël hebraik në Kosovë është një akt urrejtjeje që nuk duhet të lejohet të hedhë rrënjë. I bëj thirrje qeverisë së Kosovës të hetojë imtësisht vandalizmin dhe të ndëshkojë autorët siç parashikohet me ligj”, ka thënë kongresisti Engel në deklaratën e tij.

Ai ka kujtuar se ka vizituar këtë varrezë me ish presidentin Ibrahim Rrugova në vitin 2005.

“E kisha për nder që së bashku me të të shprehja respektin për komunitetin hebraik të Kosovës, të cilin ai e kishte përqafuar si pjesë të historisë dhe trashëgimisë së Kosovës”, ka nënvizuar kongresisti Eliot Engel, që njihet si mik i madh i shqiptarëve.

“Ky akt në varreza është edhe më tragjik pasi vetëm kohët e fundit ajo ishte vendi i një projekti pune vullnetare të kryer së bashku nga studentët e Universitetit Amerikan të Kosovës dhe Kolegjit Dartmouth në Shtetet e Bashkuara. Shpresoj që puna e tyre e mirë të mos humbasë nga ky akt përdhosjeje dhe varreza të restaurohet dhe të mbrohet që të gjithë në Kosovë ta dinë se sa njerëz kanë banuar dhe vazhdojnë të jetojnë në këtë tokë”, thuhet në fund të deklaratës së kongresistit Eliot Engel.
XS
SM
MD
LG