Ndërlidhjet

Rasti Kleçka, gjykimi nis në fund të janarit



Gjykimi i deputetit Fatmir Limaj dhe nëntë ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës-që të gjithë të akuzuar për krime kundër popullatës civile gjatë luftës më 1999, në atë që njihet si "rasti Kleçka" do të nisë më 30 janar.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë është mbajtur sot edhe një seancë statusore, ku edhe është marrë vendim, që 30 janari të jetë dita kur do të shqyrtohet pranueshmëria ose jo e provave të dëshmitarit X, që përbëjnë bazën e aktakuzës së ngritur nga prokuroria.

“Më 30 janar të vitit 2012, do të fillojë gjykimi dhe do të jetë intensiv deri në fund të korrikut të vitit 2012. Këtë kalendar e kemi marrë nga gjykata dhe jemi pajtuar me të. Për çdo muaj do të jenë nga 12-13 seanca që do të vazhdojnë deri ka 27 korriku”, tha për Radion Evropa e Lirë, avokati i deputetit Limaj, Tahir Rrecaj.

Pala mbrojtëse e Fatmir Limajt, që u përfaqësua nga një avokat ndërkombëtar, ka kërkuar javë më parë që seanca kryesore për të akuzuarit të shtyhet për në muajin shkurt, pasi, sipas avokatit Karim Kan, dokumentet që përmbajnë akuzën, pala mbrojtëse i ka marrë me vonesë dhe nuk kanë pasur kohë për t’i analizuar.

“Dëshmitari kyç në këtë rast ka vdekur. Ne nuk kemi mundësi që ta marrim në pyetje dhe është esenciale që të kërkohen provat bazë”, ka thënë Kan, i cili ka kërkuar ndër të tjera edhe raportin e autopsisë dhe raportin e rrethanave të vdekjes së dëshmitarit X, dëshmitë e të cilit kane qenë thelbësore për ngritjen e aktakuzës.

Dëshmitari X apo Agim Zogaj, identitetin e të cilit pas vdekjes e bëri publik EULEX-i, ishte nën programin e mbrojtjes së dëshmitarëve të ofruar nga misioni evropian për sundimin e ligjit.

Dy muaj pas vdekjes së tij, shefi i EULEX-it Ksavier de Marnac ka shkruar një letër të hapur, në të cilën vë në pah se mbrojtja e dëshmitarëve të rëndësishëm gjatë një rasti gjyqësor është standard themelor i çdo vendi bashkëkohor dhe demokratik.

Megjithatë, ai ka potencuar se gjërat nuk janë si duhen në Kosovë e as në Ballkan.

“Të jemi të sinqertë lidhur me këtë, ka pasur shumë raste të vrasjes dhe të kërcënimit të dëshmitarëve ose të frikësimit të familjeve të tyre, jo vetëm në Kosovë ose në Ballkan. Kjo ndodhë edhe në vendet e tjera evropiane. Fatkeqësisht, është realitet i hidhur që nëse duhet të burgosen kriminelët, nëse duhet të arrihet drejtësia, atëherë dëshmitarët duhet të mbrohen, në mënyrë që t’i japin dëshmitë e tyre pa qenë të kërcënuar apo të frikësuar”, ka shrkuar në letrën e tij, Marnak.

Letra e tij vjen pas njoftimeve në mediat vendore se "gruaja e Agim Zogajt po përgatit padi ndaj prokurorit të rastit Kleçka, Mauricio Salustro, për shkak të siç thuhet trajtimit jo të mirë të dëshmitarit tashmë të ndjerë".
XS
SM
MD
LG