Ndërlidhjet

Maqedonia jashtë agjendës


Flamuri i Maqedonisë - foto nga arkivi.
Flamuri i Maqedonisë - foto nga arkivi.
Mospërfshirja e Maqedonisë në agjendën e samitit të Bashkimit Evropian, nga partitë në pushtet, arsyetohet me problemet ekonomike dhe strukturore brenda unionit. Ato thonë se Maqedonia tashmë ka përmbushur kriteret dhe pas vendimit të fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me të drejtë pret caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim.

“Republika e Maqedonisë, pas vendimit të GJND-së dhe rekomandimeve pozitive të Komisionit Evropian, me të drejtë pret fillimin e bisedimeve për anëtarësim në BE. Megjithatë, realiteti në Union dikton marrjen e vendimeve tjera, pra samiti i BE-së është e qartë se vëmendje kryesore u kushton problemeve strukturore, me të cilat po përballet ky organizëm evropian".

"Por, shpresoj se BE-ja shumë shpejt do të arrijë t'i tejkalojë problemet e brendshme ekonomike dhe si rrjedhojë e kësaj, Maqedonia do të arrijë të marrë datën për fillimin e bisedimeve, pasi më nuk ka as edhe një arsye që kjo çështje të shtyhet ”,
thotë Aleksandar Spasenovski nga VMRO-DPMNE.

Maqedonia nuk figuron në agjendën e samitit të BE-së, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së, emrit pavarësisht vendimit favorizues të GJND-së.
Maqedonia nuk figuron në agjendën e samitit të BE-së, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së, emrit pavarësisht vendimit favorizues të GJND-së.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se Maqedonia nuk është përmendur apo nuk është marrë ndonjë vendim pozitiv në raport me integrimin e saj, për shkak se BE-së i nevojitet kohë për të dalë me një qëndrim të përbashkët pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Bindja jonë se pse në samitin e radhës të BE-së, nuk do të ketë ndonjë vendim konkret për Maqedoninë, është për shkak të krijimit të një kohe për të ndërtimin e opinionit sa i përket vendimit të Gjykatës së Hagës. Pra, besojmë se do të duhet kohë që shtetet e BE-së të krijojnë një konsensus apo qëndrim të përbashkët si reagim ndaj vendimit të Hagës dhe pastaj besojmë se në fillim të vitit të ardhshëm do të krijohet një qëndrim sa i përket procesit integrues të Maqedonisë”, deklaron zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.

Sipas Osmanit, partia shqiptare në Qeveri, është e përcaktuar për realizimin e të gjitha kritereve për anëtarësim dhe se dëshmi për këtë, siç thotë ai, është edhe dinamika e re që ka marrë sektori për euro-integrime që drejtohet nga BDI-ja.

Por, ndryshe nga partitë në pushtet, ato në opozitë thonë se Maqedonia nuk figuron në agjendën e samitit të BE-së, për shkak të moszgjidhjes së çështjes së ,emrit pavarësisht vendimit favorizues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Nuk mjafton vetëm kënaqësia dhe satisfaksioni, por duhen veprime dhe hapa konkret që ne ta plotësojmë kushtin për proceset integruese”, thekson Izet Zeqiri nga Rilindja Demokratike Kombëtare.

Zeqiri shton se institucionet, të gjitha së bashku, duhet të hartojnë një plan nacional me afate kohore për zgjidhjen e çështje së emrit.

Ndërsa, Tito Petkovska nga opozita maqedonase, thekson:

“Është më se e qartë se me këtë pushtet, Maqedonia ka qasje të gabuar në raport me integrimin euro-atlantik të vendit. është e vërtetë se vendimi i GJND-së, ishte pozitiv për Maqedoninë. Pra, ishte një vendim i drejtë dhe këtë askush nuk e mohon, por është edhe një e vërtetë tjetër se ky vendim nuk pati asnjë ndikim në bashkësinë ndërkombëtare, pasi çështja kyçe që përmendet në çdo rast është arritja e një kompromisi të pranueshëm për çështjen e emrit ”.
XS
SM
MD
LG