Ndërlidhjet

Maqedoni: (Mos)Praktikimi i të drejtave të njeriut


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup
Ditën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, këtë vit ia Maqedonia ia dedikon mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe mediave, të cilët në funksionimin e tyre kanë rëndësi themelore për promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe për përforcimin e vetëdijes së qytetarëve për mënyrën e mbrojtjes së tyre, thotë për Radion Evropa e Lirë, Avokati i Popullit i Maqedonisë, Ixhet Memeti.

“I bëj apel pushtetit që në të ardhmen të kujdeset për atë që do të thotë ndihmesë për ata, të cilët kontribuojnë, përkatësisht promovojnë dhe mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, e këtu bëjnë pjesë dhe mediat”, thotë Memeti.

Ndërkohë, German Fillkov nga Qendra për komunikim me qytetarët, vlerëson se inkuadrimi i mediave në mbrojtjen e të drejtave të njeriut është shumë frytdhënëse, veçanërisht kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të kategorive të margjinalizuara.

“Mediat, në masë të konsiderueshme mund t`i ndihmojnë organizatat jo qeveritare, të cilat trajtojnë probleme të ndryshme, ku përfshihet shkelja e të drejtave të njeriut. Mediat, thjesht, në këtë drejtim mund të luajnë rolin e të ashtuquajturi ‘zë i popullit’”, thekson Fillkov.

Ndërkaq, Avokati i Popullit, Ixhet Memeti, vlerëson se rritja e numrit të parashtresave drejtuar institucionit që drejton ai, ka të bëjë me vetëdijesimin gjithnjë e më të madh të qytetarëve për të drejtat e tyre. Megjithatë, sipas tij, mbetet edhe shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim, veçanërisht sa i përket grupeve të margjinalizuara në shoqëri, siç janë të hendikepuarit, të verbrit, etj.

“Konform ligjit, Ombudspersoni merret me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut atëherë kur ata janë të kërcënuar nga institucionet, mbi të cilat Avokati i Popullit ka kompetencë. Sektor më i ndjeshëm edhe më tej mbeten administrata publike, Gjyqësori sa i përket azhuritetit të lëndëve”, bën të ditur Memeti.

Nga ana tjetër, Elena Koçovska nga sektori civil që promovon mbrojtjen e personave me nevoja të posaçme “POLIO PLUS”, nënvizon se dita e të drejtave të njeriut paraqet një mundësi të mirë për përshëndetjen e të gjitha aktiviteteve të mbrojtësve të njohur dhe të panjohur të të drejtave të njeriut.

Ajo thotë se përderisa para disa vjetësh nuk flitej asgjë për nevojat e të hendikepuarve, tani të drejtat e tyre janë inkorporuar edhe në ligje përkatëse në Maqedoni, por siç konstaton Koçovska, problem praqet vetëdija e ulët e qytetarëve.

“Aktiviteti bazë të përqendrohet në atë që personat me nevoja të posaçme duhet t’i trajtojmë si pjesë e shoqërisë ku edhe ata mund të kontribuojnë. Kjo kërkon edukim në vazhdimësi të qytetarëve për të kuptuar se ata janë pjesë e sistemit dhe si të tillë duhet të trajtohen”, thekson Koçovka.

Ndërkaq, Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Memeti, vlerëson se Maqedonia në masë të konsiderueshme ka harmonizuar ligjet me ato të Bashkimit Evropian, sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por, sipas tij, problemi qëndron në mospraktikimin e të njëjtave.

“Republika e Maqedonisë, në aspektin formalo-juridik , ka nivel të kënaqshëm, të konsiderueshëm, por problemi qëndron në krijimin e realizimit në praktikë të atyre të drejtave. Maqedonia mbetet ende shumë prapa”, shprehet Memeti.
XS
SM
MD
LG