Ndërlidhjet

Thaçi: Rruga e Serbisë në BE kalon përmes Kosovës


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha sot se Serbisw për herë të parë zyrtarisht iu tregua se rruga e saj për në Bashkimin Evropian kalon përmes Kosovës.

Ai mirëpriti kushtëzimin që Brukseli ia bëri Beogradit lidhur me marrjen e statusit të kandidatit për anëtarësim, ndërsa theksoi rëndësinë e normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi.

“Shpesh herë padrejtësisht dhe në mënyrë naive, jemi akuzuar se po ia shkurtojmë rrugën Serbisë për në Bashkimin Evropian përmes dialogut që ndodhte e që po ndodhë në Bruksel. Në fakt, ndodhi ajo që pritej të ndodhte; e kundërta, pra”, u shpreh Thaçi në një konferencë për media pas kthimit nga Brukseli.

Pas takimit të djeshëm të Këshillit Evropian, i cili miratoi konkluzionet e takimit të 5 dhjetorit të këshillit të ministrave të BE-së, Thaçi u zotua se do të përmbushen të gjitha kushtet për integrimin evropian të Kosovës “në kohë rekorde”.

Ai shprehu gatishmërinë që personalisht të mbikëqyrë realizimin e agjendës për liberalizimin e vizave dhe për marrëdhëniet tregtare me Bashkimin Evropian.

Thaçi nuk deshi, megjithatë, të komentojë premtimin që kishte dhënë më parë, sipas të cilit qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin pa viza në BE brenda 15 muajve të parë të mandatit të tij të dytë si kryeministër.
XS
SM
MD
LG