Ndërlidhjet

Gabimet politike në 2011-ën


Nikolas Sarkozi dhe Barak Obama
Nikolas Sarkozi dhe Barak Obama
Test, test, a po dëgjohet, test?

Në Samitin e G20-ës, që u mbajt në nëntor në Kanë, presidenti francez Nikolas Sarkozi dhe presidenti Barak Obama po flisnin prapa dyerve të mbyllura, ndërsa po prisnin për fillimin e konferencës për gazetarë. Asnjëri nuk e vërejti se mikrofonat në palltot e tyre ishin ndezur.

Dhjetëra gazetarë po dëgjonin përmes dëgjueseve të paktën tre minuta të bisedës së dy presidentëve në lidhje me raportet e vështira me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu.

Sarkozi i tha Obamës: “Nuk e duroj dot, është gënjeshtar”.

Obama ia ktheu: “Të është mërzitur? Po unë që duhet të merrem me të çdo ditë?"

Komentet fillimisht nuk u raportuan nga gazetarët, pasi që ishte bisedë private. Por, kur një faqe interneti i botoi ato, një gazetar i Reutersit i konfirmoi, dhe storia mori dhenë. Asnjë nga të tre liderët nuk ka komentuar.

***

Më 6 dhjetor, disa orë pas aksionit të policisë ndaj një proteste tjetër në rrugë në Moskë, në lidhje me zgjedhjet e kontestuara parlamentare, dikush e ripostoi një mesazh në twitter në të cilin shkruante: “Sot u bë e qartë se personi që shkruan në blogun e tyre ‘partia e hajnave’ është delja budallaqe”, për të shtuar dhe të shara tjera.

Autori i twitit-it (http://twitpic.com/7pfly7) ishte një deputet i Dumas i quajtur Konstantin Rikov. Autori i ripostimit në mbrëmjen e vonshme ishte presidenti Dimitri Medvedev.

Rusët që panë postimin e Medvedevit e dinin se aludimi në ‘delen’ kishte të bënte me blogerin e opozitës Aleksei Navalnin, i cili në atë kohë qëndronte në burg, për shkak të rolit të tij në protesta.

Në faqen e tij të internetit, Navalni i referohej partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar si “parti e hajnave”. Më pas u shfaq në internet një videoklip që duke iu referuar Navalnit, thoshte se delja është e pranishme gjithandej në internet.

Zyra e Shtypit e Kremlinit pranoi se ishte bërë postimi, por pastaj e fshiu tweetin dhe lëshoi një deklaratë:

Sonte dikush gabimisht ka ri-postuar në tiwtter një përmbajtje që duket të jetë bërë nga llogaria e Dimitri Medvedevit. Pas një kontrollimi u pa se gjatë ndryshimit të fjalëkalimit, një punonjës përgjegjës për @MedvedevRussia's feed ka ripostuar. Fajtori do të dënohet”.
Ose mbase vetëm do të vihet në siklet.

Ukraina në pranverë!

Në janar, presidenti ukrainas, Viktor Janukoviq – gjuha amtare e të cilit është rusishtja, u fut në telashe gjatë një fjalimi në Forumin Botëror Ekonomik në Davos.

Së pari, ai dështoi të shqiptojë si duhet sloganin për kampionatin evropian të futbollit Euro 2012, të cilin e bashkë-organizon Ukraina me Poloninë.

Pastaj, Janukoviqi i këshilloi investitorët potencialë që të vizitojnë Ukrainën në pranverë, që me sa duket është koha kur gratë fillojnë të zhvishen.

Sot ju ftoj, zonja dhe zotërinj në Ukrainë, që të shijoni pranverën ukrainase. Ky sllogan(ai përpiqet tri herë të shqiptojë sloganin). ‘Kthehuni në Ukrainë’ është sllogani për fushatën e Euros 2012. Për t’u kthyer në Ukrainë mjafton të vini dhe të shihni, nisjen e lulëzimit të gështenjave në Kijev, kur koha ngrohet dhe femrat fillojnë të zhvishen. Do ta shihni këtë bukuri. Është magjike”.

AUDIO (http://www.pravda.com.ua/news/2011/01/28/5847754/)
VIDEO (http://www.youtube.com/watch?v=Hpt-eU_BAn4).

Fushata katastrofale

Presioni për të bërë fushatë për president mund t’i kthehet bumerang kandidatit- të gjitha fjalimet, duarshtrëngimet dhe fotografitë regjistrohen dhe kujtohen gjithnjë.

Në Meksikë në këtë vjeshtë, një kandidat për president të ardhshëm, Enrike Pena Neito, bëri një fushatë në panairin ndërkombëtar të librit në Guadalajara.

Por, ai mbeti plotësisht pa fjalë, kur një nga gazetarët e pyeti se cilët ishin tre nga librat që kishin pasur ndikim te ai.

Kritikët e bukuroshit dhe yllit të filmit shtruan pyetjen nëse ai kishte tru për president. Përgjigja nuk i siguroi ata.

BBC (http://www.bbc.co.uk/news/world-latin-america-16044216) përshkroi se çka ndodhi.

"Për disa minuta ai hezitoi, para se të përmendte se kishte lexuar 'pjesë' të Biblës. Pastaj nisi të fliste përçartë, duke ngatërruar titujt, duke harruar emrat e autorëve dhe nganjëherë duke mos iu përputhur gjërat”.

“The Economist” e përshkroi momentin si “siklet torturues”.

Video pa zë: (http://www.youtube.com/watch? feature=player_embedded&v=sUMwy7ZolNg)

Një bllokim i ngjashëm i trurit i ndodhi edhe njërit prej kandidatëve kryesorë për president të SHBA-ve në këtë nëntor, në një emision direkt televiziv.

Rik Perri, guvernator i Teksasit dhe një prej politikanëve republikanë, që po konkurrojnë për të sfiduar presidentin Obama në zgjedhjet e ardhshme, po merrte pjesë në një debat kombëtar televiziv.

Ai mbajti një fjalim të zbrazët, duke shpjeguar se si president, ai do të zvogëlonte administratën. Dhe pastaj harroi se çka dëshiroi të thoshte:

Dhe do t’ju them: janë tri agjenci qeveritare, që kur të vij unë do të kenë shkuar. Tregtia, edukimi dhe ëmm, cila ishte e treta? Të shohim? "Ëhh pesë, OK, pra: Tregtia, Edukimi, dhe ëmm ëmm… "

E qeshura e publikut shtyu moderatorin që t’i bënte presion Perrit që ta emërtonte agjencinë e tretë, që duhej mbyllur: “A mund të na thuash cila është e treta?”

Agjencia e tretë qeveritare që do ta hiqja me edukimin, me ëmm, tregtinë, dhe të shohim, nuk mundem. Nuk mundem të tretën. Më vjen keq, ups”, u shpreh Perri.

Dikur kandidat kryesor republikan- dhe tash ish kandidat-Herman Kein, nuk e vuri në siklet veten, aq sa e vuri elektoratin amerikan, kur e përqeshi idenë se presidentët amerikanë duhet të dinë emrat e liderëve të huaj:

Kur më pyesin kush është presidenti i Ubeki-beki-beki-beki-stan-stan-it? 'Unë do të them, a e dini çka, nuk e di? Dhe pastaj do të pyes, çfarë mendoni në lidhje me krijimin e vendeve të reja të punës”, u pat shprehur Kein.

Gafet e grupeve

Sikleti është gjithmonë më pak i ndjeshëm nëse nuk bëhet fjalë vetëm për ty, por je i shoqëruar.

Në Itali, pas rënies së qeverisë së Silvio Berluskonit në këtë vit, një profesor kanadez i matematikës, u emërua gabimisht në kabinetin e ri.

Italiano-kanadezi Françesco Braga u zgjua herët një mëngjes, në shtëpinë e tij në Ontario të Kandasë, dhe pa emrin e tij në një faqe interneti të një gazete italiane, se ishte zgjedhur ministër i ri i bujqësisë.

Braga e kishte lënë Italinë pothuaj 30 vjet më parë dhe nuk kishte lidhje me politikën. Pas disa telefonatave të mëvonshme, u zbulua se postin do ta merrte Franko Braga, një profesor i inxhinierisë civile në Universitetin Sapienza të Romës.

Dhe për fund, një tjetër gafë që ka lidhje me Kanadanë: 50 profesorë suedezë votuan më 3 tetor për t’i dhënë çmimin shkencëtarit kanadez Ralf Steinman, dhe dy shkencëtarëve tjerë, për punën e tyre në sistemin imunitar.

68 vjeçari nuk jetoi aq gjatë sa për të mësuar se kishte fituar; dy ditë para vendimit, ai vdiq nga kanceri.

Zyrtarët e habitur të Komitetit të Nobelit thanë se ishte hera e parë në historinë 110 vjeçare të ndarjes së çmimeve, që fituesi i zgjedhur kishte vdekur para se të shpallej vendimi. Por, pas konsultimeve, ata për herë të parë e injoruan politikën e tyre, që të mos jepej çmimi post mortum.(a.i.)
XS
SM
MD
LG