Ndërlidhjet

Komunat kërkojnë më shumë fonde


Ilustrim
Ilustrim
Bashkësia e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale që tubon të gjitha komunat e Maqedonisë, kërkon më shumë fonde nga pushteti qendror. Kjo sipas drejtuesve të BNJVL-së, do të arrihej përmes rritjes së përqindjes së TVSH-së dhe të tatimit personal që do të derdhej në llogaritë e pushtetit lokal.

“Për këtë vit mbetet angazhimi ynë parësor për rritjen e TVSH-së nga katër që është aktualisht, në gjashtë për qind, si dhe për rritjen e tatimit personal mbi fitimin nga tre në tridhjetë për qind ”, deklaroi Koce Trajanovski, kryetar i Bashkisë së Shkupit dhe i bashkësisë së komunave të Maqedonisë.

Kërkesa e tyre ka të bëjë me TVSH-në, që paguajnë qytetarët dhe kompanitë afariste në vend për të gjitha shërbimet e tyre në shtet, e që sillet prej 5 deri më 18 për qind.

Këto të ardhura janë ndarë mes pushtetit qendror dhe atij lokal, por me ndarjen aktuale komunat nuk janë të kënaqura, andaj kërkojnë përqindje më të lartë.

“Komunat rurale kryesisht varen nga këto të ardhura, respektivisht nga TVSH-ja, pasi të ardhura tjera nuk kanë. Unë mendoj se BNJVL duhet të bëjë çmos që në marrëveshje me Qeverinë këtë çështje sa më shpejt ta procesojë dhe që TVSH-ja të arrijë të paktën në 6 për qind ”, tha Fati Iseni, kryetar i komunës rurale të Studeniçanit, që gjendet disa kilometra nga Shkupi.

Ndërkohë, kreu i BNJVL-së, Trajanovski, tha se nga përmbushja e kësaj kërkese, do të kishte përfitime të gjithanshme.

“Mendojmë se kjo do të kontribuonte edhe për decentralizimin më të madh në Maqedoni, për funksionimin më të mirë të komunave dhe ç’është më me rëndësi, për zhvillimin më të madh të komunave dhe të shtetit, në përgjithësi ”, u shpreh Trajanovski.

Duke komentuar kërkesat, ministri i Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta, tha se ato janë të qëndrueshme dhe se po punohet për realizimin gradual të tyre.

“Sa i takon tatimit personal edhe unë jam dakord me kërkesën e kryetarëve të komunave që tatimi personal të rritet, kurse në lidhje me TVSH-në, ai deri në vitin 2013 duhet të bëhet 4.5 për qind, por edhe nëse rritet deri në 6 për qind, që është kërkesë e kryetarëve të komunave apo në përgjithësi e qytetarëve, mendoj se kjo do t’i ndihmonte komunat që nuk kanë kapacitete të mjaftueshme financiare dhe kështu do të kishim një zhvillim të barabartë në nivel të republikës”, theksoi Bejta.

Sipas Bejtës, kryetarët e komunave nuk duhet të presin të ardhura vetëm nga TVSH-ja, por duhet të angazhohen në gjetjen edhe të burimeve tjera të financimit.

“Ata tani kushtet i kanë dhe mund të tërheqin mjete të ndryshme nga investitorët, si nga brendia e vendit, ashtu edhe nga jashtë. Domethënë gjithçka varet nga kryetari i komunës, sa ai dëshiron ta zhvillojë komunën”, shtoi ministri i Pushtetit Lokal, Bejta.

Ndërkohë, komunat, përveç aspekteve financiare, kanë paralajmëruar edhe kërkesa tjera për më shumë kompetenca, në veçanti në sferën e sigurisë dhe të urbanizmit.
XS
SM
MD
LG