Ndërlidhjet

VV: Mocioni i "turpshëm", protestat mbahen me skenar të njëjtë


Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se të dielën më 22 janar do të mbajë protestat me skenar të njëjtë sikurse ato më 14 janar.

Protestat që synojnë bllokimin e mallrave serbe dhe që pritet të zhvillohen në Merdare dhe te Dheu i bardhë, dy pika kufitare këto me Serbinë, vijnë pas mocionit të djeshëm të Kuvendit të Kosovës, i cili bën thirrje për respektimin e marrëveshjeve me Serbinë, të arritura në kuadër të dialogut në Bruksel.

Ky mocion i iniciuar nga grupi parlamentar i PDK-së, rrëzoi atë të Lëvizjes Vetëvendosje, të datës 7 dhjetor, i cili kërkonte respektimin e reciprocitetit ekonomik, politik e tregtar me Serbinë.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se me ndërhyrjen e policisë në protestat e 14 janarit iu hap rruga Serbisë ekonomikisht, ndërkaq me mocionin e 20 janarit, iu hap edhe rruga politike.

Ai i bëri këto komente në një konferencë për gazetarë, ku sqaroi se protesta e 22 janarit synon mbrojtjen e Republikës së Kosovës dhe prodhimin vendor.

Kurti njoftoi edhe për takimin që ka zhvilluar sot me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilin e karakterizoi më shumë si takim informues për zhvillimet aktuale, sesa një thirrje për heqje dorë nga protesta e nesërme.

Ai tha se nuk ka marrë ndonjë ftesë nga presidentja për një tryezë të subjekteve politike, sic qe paralajmëruar në media.

Presidentja Jahjaga është takuar një natë më parë edhe me liderët e partive tjera politike, kryeministrin Hashim Thaçi, që njëherësh është kryetar i PDK-së, atë të LDK-së, Isa Mustafa dhe nënkryetarin e AAK-së, Blerim Shala.

Ndryshe, përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje, kanë bërë të ditur se mund të kërkojnë mendimin e Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mocionin e miratuar dje në Kuvendin e Kosovës, të cilin ata e quajnë “jokushtetues dhe të turpshëm”.
XS
SM
MD
LG