Ndërlidhjet

Konfirmohen sulmet


Pakistan...
Pakistan...


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, e ka bërë një koment të rrallë lidhur me sulmet e aeroplanëve pa ekuipazh të Shteteve të Bashkuara në territorin e Pakistanit.

Në këtë mënyrë ai e konfirmoi se sulmet e tilla po ndodhin dhe ka sugjeruar se raportet për viktimat civile nga këto sulme janë të ekzagjeruara.

Gjatë një diskutimi në një forum në Internet, presidenti amerikan, Barak Obama, e ka pranuar se shumë sulme të aeroplanëve pa ekuipazh bëhen në rajonet e Pakistanit, afër kufirit me Afganistanin.

Ai tha se sulmet në mënyra të tjera, kundër militantëve të al-Kaidës ose të talibanëve në Pakistan, do të involvonin “me gjasë aksione më shqetësuese ushtarake se sa ato në të cilat ne jemi të angazhuar aktualisht”.

Dëshiroj ta siguroj popullin që të kuptojë se aktualisht aeroplanët pa ekuipazh nuk kanë shkaktuar numër të madh të viktimave civile. Në pjesën më të madhe, ato kanë qenë sulme shumë precize kundër al-Kaidës dhe bashkëpunëtorëve të saj. Ne jemi shumë të kujdesshëm se si ato janë ndërmarrë. Mendoj se ekziston një lloj perceptimi se ne vetëm i dërgojmë këta aeroplanë për të sulmuar. Por, këto janë përpjekje të fokusuara kundër njerëzve, që janë në listën e terroristëve aktivë, e që po përpiqen t’i dëmtojnë amerikanët, t’i godasin kapacitetet amerikane, bazat amerikane, e të tjera”, tha Barak Obama.

Pakistani e ka pranuar “avantazhin taktik” të sulmeve me aeroplanë pa ekuipazh të Shteteve të Bashkuara, por duket se nuk i ka dhënë rëndësi të madhe konfirmimit të presidentit Obama për sulme në tokën pakistaneze.

Zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Pakistanit, Abdul Basit, i tha agjencisë AFP, se “pavarësisht nga avantazhet taktike të sulmeve me aeroplanë pa ekuipazh, ne kemi pikëpamje të fortë se ato sulme janë joligjore, kundërproduktive dhe rrjedhimisht të papranueshme”.

Nga dokumentet diplomatike të Shteteve të Bashkuara, që rrodhën në opinion nga WikiLeaks-i, në fund të vitit 2010, shihet se liderët ushtarakë dhe civilë të Pakistanit, privatisht i kanë mbështetur sulmet me aeroplanë pa ekuipazh të Amerikës, përkundër dënimit publik të kësaj praktike.

Mbështetja e ushtrisë pakistaneze për këto sulme ka përfshirë edhe shkëmbimin e të dhënave të inteligjencës së nevojshme për marrjen në shënjestër të militanëtve të al-Kaidës në Pakistan.

Pakistani kishte lejuar që Shtetet e Bashkuara ta përdorin bazën ajrore Shamsi, në pjesën perëndimore të Pakistanit, për rimbushjen me karburant të aeroplanëve pa ekuipazh.

Sipas disa vlerësimeve, baza Shamsi ishte qendër për programin e agjencisë CIA për aeroplanë pa ekuipazh.

Por, Islamabadi e kishte urdhëruar personelin ushtarak amerikan që të largohet nga Shamsi në vitin 2011, për shkak të përkeqësimit të raporteve lidhur me ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara, nga e cila u vra lideri i al-Kaidës, Osama bin Laden, në muajin maj.

Zyrtarët e Pakistanit thonë se Islamabadi tash po e rishqyrton në tërësi aleancën me Shtetet e Bashkuara, derisa aktualisht po e mban të mbyllur kufirin e vet me Afganistanin, për furnizimet e NATO-s, prej 26 nëntorit të vitit të kaluar.

Sipas mediave, bilanci jozyrtar i sulmeve me aeroplanë amerikanë pa ekuipazh ishte: në vitin 2009 dyshohet se u ndërmorën 45 sulme, në vitin 2010 – 101, ndërsa në vitin 2011 – 64 sosh.

Dejvid Rohde, korrespondent i New York Times, fitues i çmimit të lartë gazetaresk, Pulicer, që për disa muaj ishte mbajtur i rrëmbyer nga talibanët në Pakistan, pas ikjes në vitin 2009, ka raportuar se i ka parë talibanët se si i rrisin numrat e viktimave civile nga sulmet e aeroplanëve pa ekuipazh të Shteteve të Bashkuara, me qëllim që sa më lehtë të rekrutojnë luftëtarë të rinj. (f. b.)
XS
SM
MD
LG