Ndërlidhjet

IHT: Të mbështesësh zgjimin arab


Jemen - foto nga arkivi
Jemen - foto nga arkivi
"International Herald Tribune"

Shkruan: Shefja për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton


Reagimet në Evropë për Zgjimin Arab kanë ndërruar drejtim në mes të optimizmit dhe pesimizmit.

Ashtu sikurse euforia fillestare që lë hapësirë për dyshime të pashmangshme, ne kemi nevojë të vazhdojmë të riafirmojmë përkushtimin tonë për demokracitë në zhvillim.

Pika nga duhet të nisemi duhet të jetë se demokracia- kudo- mund të jetë e vështirë: emocionuese, frymëzuese dhe çlirimtare, por edhe e çrregullt, e trazuar dhe e paparashikueshme.

Por, historia na tregon se sapo demokracia t’i fusë rrënjët thellë, në sundim të ligjit, të drejta të njeriut, barazi gjinore, administratë të pavarur, liri të shprehjes dhe investime private, si dhe zgjedhje të ndershme, shteti bën përparime dhe jeton në paqe me vendet fqinje.

Kjo është arsyeja pse jam optimiste. Ajo që ka ndodhur në 12 muajt e kaluar ka qenë mbresëlënëse. Ishim dëshmitarë të zgjedhjeve të lira dhe korrekte në Tunizi, Egjipt dhe Marok.

Disa janë shqetësuar ndaj suksesit të islamistëve në zgjedhje. Të tjerët kanë kërkuar më shumë kohë për të vëzhguar se si do shtjellohet kjo situatë politike.

Në Tunizi, Enahda ka hyrë në koalicion qeveritar me forcat sekulare politike. Në Marok, një kapitull i rëndësishëm i “bashkëjetesës” është hapur në mes të mbretit dhe kryeministrit nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim. Në Egjipt, parlamenti i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në 60 vjetët e fundit ka mbajtur seancën e tij historike.

Natyrisht, ndërtimi i demokracisë së vërtetë dhe të thellë, kërkon përpjekje të qëndrueshme dhe përkushtim. Shoqëria civile e Egjiptit duhet të lejohet që të luajë rolin e saj thelbësor si shtyllë e demokracisë dhe është e rëndësishme që gjendja e jashtëzakonshme të hiqet plotësisht dhe të bëhet transferimi tek autoritetet civile sa më shpejt që të jetë e mundur.

Unë po ashtu shpresoj që Libia do të ndërtojë një demokraci nga e cila do të përfitojnë të gjithë libianët. Për këtë ne jemi të angazhuar plotësisht.

Së bashku me Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian po organizon një seminar me partnerët tanë libianë për të përshpejtuar mbështetjen tonë.
Shqetësimi ynë, nuk është i kufizuar në Afrikën e Veriut. Të drejtat e njeriut aplikohen, qoftë nëse je nga Siria, Jemeni, apo Jordania, Bahreini e monarkitë tjera arabe.

Por, me të drejtat vijnë edhe përgjegjësitë. Kjo, është arsyeja se pse kërkojmë nga autoritetet libiane që të mos lënë asnjë gur pa kthyer në hetimin ndaj pretendimeve të fundit për tortura.

Kam dëgjuar për skepticizmin nëse “ne” mund t’iu besojmë këtyre grupeve të reja politike, që e motivojnë veten nga burime të ndryshme të islamizmit.

Disa shqetësohen dhe argumentojnë se nuk është në interes të Evropës që të mbështesë dhe ndihmojë Zgjimin Arab. Unë nuk pajtohem me këtë. Ne kemi obligim moral, si dhe nevojë praktike që të ndihmojmë fqinjët në sigurimin e demokracisë dhe prosperitetit. Ne nuk jemi “spektatorë”.

Prandaj më lejoni që të adresojë çështjen e besimit në mënyrë direkte. Kjo ka të bëjë me të dy palët.

Një pyetje që islamikët shpesh e ngrenë është se a na besojnë “ata”neve? Mendoj se ekziston një nevojë e shpejtë për tejkalimin e këtij dyshimi të ndërsjellë dhe për njohjen e njëri-tjetrit. Futja e të gjithë islamikëve në të njëjtën kategori është e padobishme dhe e gabueshme.

Ne kuptojmë nevojën për informim të dorës së parë. Secila parti politike dhe lëvizje duhet të kuptohet dhe vlerësohet në bazë të meritës së tyre, ashtu sikurse edhe që duhet të gjykohen në bazë të veprimeve e aksioneve të tyre konkrete.

Këto janë parti dhe lëvizje, që po mësojnë dhe po ndryshojnë para syve tanë dhe ne e kemi parasysh këtë. Ato janë te etura për të mësuar përgjegjësitë që vijnë me pushtetin. Sa më shumë që t’i kuptojmë ata, dhe t’i ndihmojmë që të na kuptojnë edhe neve, aq më mirë do të jetë për të gjithë.

Kjo është arsyeja pse na duhet një besim i ndërsjellë si bazë e angazhimit tonë me udhëheqësinë e re politike. Kjo mund të bëhet, vetëm përmes dialogut direkt politik. Ne do të përulemi para kësaj detyre të madhe.

Udhëtimi nuk do të jetë i lehtë, por Bashkimi Evropian është i përkushtuar që të mos ndryshojë qëndrim: të heqë pengesat që dalin në rrugë dhe heshturazi të ndihmojë protestuesit që rrëzuan tiranët për të jetësuar ëndrrat e tyre.(a.i)
XS
SM
MD
LG