Ndërlidhjet

Çështja e emrit, Nimic në Shkup


Nimic në Maqedoni
Nimic në Maqedoni
Maqedonia mbetet në pozicionin për konstruktivitet në procesin e bisedimeve për zgjidhjen e çështjes së emrit, dhe të njëjtin pozicion pret edhe nga Greqia.

Gjithashtu, Shkupi zyrtar kërkon nga Athina që të respektojë vendimin e fundit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila, siç thuhet, ka konfirmuar pozicionin e drejt të palës maqedonase sa i përket raporteve mes dy vendeve dhe integrimit në strukturat euroatlantike, në bazë të marrëveshjes së përkohshme mes dy vendeve.

Në këtë kuadër, Maqedonia kërkon që në Samitin e NATO-së në Çikago të mos pengohet anëtarësimi i saj me emrin e përkohshëm IRJM.

Këto vlerësime, siç bëhet e ditur, janë dhënë nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe shefi i diplomacisë, Nikolla Popovski, në takimet që kishin të hënën në Shkup me të dërguarin e posaçëm të OKB-së në zgjidhjen e kontestit rreth emrit, Mejtu Nimic, i cili, po qëndron për vizitë dyditore në Maqedoni.

Pas takimit me presidentin Ivanov dhe shefin e diplomacisë, Popovski, i dërguari i OKB-së, Metju Nimic po zhvillon edhe takimin e radhës me kryeministrin, Nikolla Gruevski, i cili, paraprakisht u shpreh.

"Ai me siguri se vjen me ndonjë qëllim apo ide, por, mbetet që ne ato t'i analizojmë dhe më pas të japim qëndrimin tonë”, deklaroi kryeministri Gruevski, pa dhënë detaje tjera për takimin me zotin Nimic.

Ndërkohë, duke komentuar aktivitetet diplomatike në planin e integrimit dhe zgjidhjen e kontestit rreth emrit, opozita ka kërkuar transparencë nga qeveria, pasi, siç thotë, jo vetëm që nuk është ftuar në koordinimin shtetëror, por as që është njoftuar me pozicionin e shtetit në takimet me ndërmjetësin Nimic.

Ne nuk e dimë se për çfarë bisedojnë, ata kanë të drejtë të koordinohen mes tyre, megjithatë nëse ekziston ndonjë strategji, ata duhet ta prezantojnë para opinionit”, deklaroi Andrej Petrov nga LSDM-ja.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve ndërkombëtare nuk presin që në takimet e ndërmjetësit Nimic në Shkup dhe Athinë, të ketë ndryshim të pozicioneve në zgjidhjen e kontestit.

Bekim Kadriu, ligjërues i së drejtës ndërkombëtare, thotë se çelësi i zgjidhjes së mosmarrëveshjes qëndron në ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Mendimi im është se të gjitha këto kontakte, i gjithë ky aktivitet diplomatik duhet të fokusohet në vendin e vërtetë e ai është zgjidhje e kontestit rreth emrit. Unë nuk pres diçka spektakulare përpara samitit të NATO-së për shkak se qëndrimi është i qartë, së pari duhet të ketë zgjidhje të kontestit e më pas anëtarësim në NATO”, thotë Bekim Kadriu.

Pas vizitës në Shkup, Nimic do të udhëtojë drejt Athinës për të dëgjuar edhe mendimet e kreut shtetëror grek lidhur me zgjidhjen e kontestit mes dy vendeve.

Ndryshe, ditë më parë presidenti Gjorgje Ivanov përmes një letre dërguar homologut të tij grek Papulas kërkon një zgjidhje mes dy shteteve nga e cila nuk do të kishte fitues apo humbës.
XS
SM
MD
LG