Ndërlidhjet

Ligji për media do të pësojë ndryshime


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Projektligji për veprimtarinë e huaj informative, propozuar nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, do të pësojë ndryshime në ato pjesë të cilat ngufasin informimin e drejtë dhe objektiv.

Kështu është zotuar Ministri i Drejtësisë së Maqedonisë, Blerim Bexheti, duke nënvizuar se gjatë përpunimit të fazës së dytë, do të inkorporohen vërejtjet e parashtruara nga opozita, e në veçanti ata të punonjësve të medieve.

Ndërkohë që vërejtjet më të mëdha kanë të bëjnë me pjesën e ligjit, e cila parashikon që leja e veprimtarisë së një mediumi të huaj të vlejë vetëm për një vit dhe ajo të merret nga Ministri i Jashtëm, si dhe pjesa që pamundëson anketimin e qytetarëve.

Te pjesa e anketave që paraqet një dilemë shumë të madhe, se ne si qeveri duam të vendosim censurë për mediat, nuk është kjo ideja aspak . Materialet që kanë arritur te ne, më saktësisht amandamentet e deputetëve, do të shqyrtohen, dhe për disa nuk kemi aspak kundërshtim, përkundrazi nëse mendohet se precizojnë disa gjëra, siç është vazhdimi i afatit të punës. Pra, ideja në këtë drejtim është se nuk ka nevojë të merret licencë për punë çdo vit, por vetëm se do të duhet të vazhdohet çdo vit, dhe vërejtje të tilla do të përfshihen në fazën e dytë të ligjit”, thekson Bexheti.

Ndërkaq, Jasmina Mironski, e cila është korrespodente e agjencisë së lajmeve Frans Press, thotë se ka nevojë që ligji përkatës të precizohet në disa segmente, ngase në të kundërtën, mund të krijohen mekanizma për të penguar punën e medieve, të cilat mund të jenë në kundërshtim me politikën e qeverisë.

Nga ajo që arrita të lexoj, krijova përshtypjen se në më shumë pjesë të ligjit duhet të precizohen gjërat, parakushtet dhe në ç’formë mund të merren anketat që kanë të bëjnë me krijimin e opinionit politik, mënyra e dhënies së licencave dhe gjëra tjera, thjesht sepse definimi i qartë pamundëson keqpërdorimin ana e pushtetit për të bërë presion ndaj medieve, njëherësh edhe vet mediat do të jenë më të disiplinuara sa i përket kësaj çështjeje”, thekson Mironski.

Nga ana tjetër, partitë politike në opozitë kanë kritikuar propozim ligjin, duke vlerësuar se bëhet fjalë për një ligj me të cilin u bëhet censurë korrespodentëve dhe mediave të huaja në Maqedoni.

Ata menjëherë pas kësaj kanë parashtruar një varg amandamentesh.

Unë mendoj se gabimeve të bëra duhet t’ua vënë emrin ‘përvojë’ dhe të lexojnë çdo projekt ligjor që hyn në Parlament, se është obligim i opozitës, është obligim i jonë si RDK, që kemi propozuar amendamente me të cilat eliminohet pika 2 e nenit 18, ku mediumet e huaja, posaçërisht mediumet shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë, mund të marrin të mbledhin ide, të marrin mendime nga qytetarët. Gjithashtu kemi propozuar një amendament, në të cilin faktikisht fshihet dispozita ku kërkohet që çdo vit të ripërsëritet leja e mediumeve të huaja”, shprehet Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Sidoqoftë, faza e parë e ligjit në fjalë u miratua, ndërkohë që javën që vjen, ky ligj do të shqyrtohet në trupat kuvendore, e më pas edhe në seancë plenare, gjegjësisht në fazën e dytë.

Ndryshe, kjo materie deri tani ka qenë e rregulluar me ligj të Federatës Jugosllave të vitit 1974
XS
SM
MD
LG