Ndërlidhjet

Maqedoni: Pesimizëm joserioz


Pamje nga Shkupi
Pamje nga Shkupi
Shfaqja e pesimizmit të kryeministrit të Maqedonisë Nikolla Gruevski, sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit si dhe zhbllokimit të procesit eurointegrues, nga partitë politike në opozitë është cilësuar si joserioz dhe nëpërkëmbje e ardhmërisë së shtetit.

“Çështja qëndron në atë sa kjo përbërje qeveritare shpreh vullnet të sinqertë për t’u zgjidhur kontesti. Vet fakti se procesi për zgjidhjen e çështjes së emrit si dhe procesi i integrimit ngecin, dhe me këtë ngecin edhe zhvillimet demokratike. Gjithë kjo mban peng të ardhmen e qytetarëve”, thekson Gordan Georgiev nga LSDM.

Por BDI vlerëson se nuk bëhet fjalë për pesimizëm, por për një skepticizëm, për shkak të krizës ekonomike në Greqi.

Zëdhënësi i kësaj partie Bujar Osmani, thotë se për partinë shqiptare në pushtet mbetet prioritet gjetja e rrugëve që do të mundësojnë gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët në kontest.

Pavarësisht zhvillimeve me fqinjin jugor, ne si qeveri, dhe veçanërisht si BDI, mbetemi të përkushtuar në rrugën për zgjidhjen e kësaj çështjeje që është pengesë e vetme për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO. Ne angazhohemi për zgjidhjen në një afat sa më të shkurtër, që t’i hapet rruga procesit të integrimit, që është prioritet esencial i BDI-së”, shprehet Osmani.

Me këtë nuk pajtohet deputeti i PDSH-së në opozitë, Zeadin Sela, i cili konsideron se çdo zvarritje e procesit të integrimit paraqet mashtrim të elektoratit shqiptar nga ana e partisë politike shqiptare në pushtet, e cila mandatin e fitoi në sajë të premtimeve për zhbllokimin e procesit integrues.

Ata (BDI) dinë vetëm të manipulojnë. Të përkujtojmë se gjatë vitit 2008, kur erdhën në pushtet, BDI mori mandatin në emër të zhbllokimit të eurointegrimeve”, thekson deputeti Sela.

Ndërkaq, analisti politik maqedonas Petar Arsovski, thekson se pavarësisht që gjatë 3 vjetëve të fundit, Maqedonia nuk ka shënuar asnjë progres sa i përket çështjes së emrit, kjo nuk duhet shfrytëzuar si alibi për kryeministrin Gruevski, se kontesti rreth çështjes së emrit do të zgjasë edhe për disa vite, dhe, sipas tij, Maqedonia mund të mos marrë ftesë për t`u anëtarësuar në aleancën veriatlantike.

Kryeministri Nikolla Gruecski është me rëndësi që njëherë e përgjithmonë të pastrohet me vetveten, Maqedonia dëshiron, ose jo, të anëtarësohet në BE dhe në NATO, ose jo. Nëse përgjigja është pozitive, atëherë duhet të angazhohet në atë drejtim, dhe nëse jo, atëherë duhet të tregojë qartë se ku e sheh perspektivën e vendit. Ndryshe, deklarimet e llojit ‘ne angazhohemi, por pala tjetër nuk ka vullnet për t`u zgjidhur kjo çështje’, janë vetëm përralla për fëmijë të vegjël”, vlerëson Arsovski.

Ndryshe, para se të realizojë takimin e paraparë në Bruksel me homologun e tij grek Papadhimos, kryeministri Gruevski është deklaruar për Di Welt se nuk pret shumë nga takimi i radhës, sepse siç është shprehur, Greqia për momentin ka shumë probleme, dhe nuk e ka prioritet zgjidhjen e kontestit.

Ndërkohë, gjatë qëndrimit të fundit në Shkup, ndërmjetësuesi për çështjen e emrit Metju Nimic, edhe pse nuk shtroi në tryezën e bisedimeve propozim të ri, ai porositi autoritetet e vendit se duhet të angazhohen sa më parë të zgjidhin kontestin, sepse kjo çështje e tangon sigurinë në rajon, Evropë dhe më gjerë.

Nimic me këtë rast ka sqaruar se diskutohet vetëm për çështjen e emrit dhe në negociata fare nuk preket çështja e identitetit.
XS
SM
MD
LG