Ndërlidhjet

Serbët e veriut "duan zgjedhje, jo dogana"


Ilustrim me pamje arkivore
Ilustrim me pamje arkivore
Disa qindra serbë të Kosovës kanë protestuar të enjten në veri të Mitrovicës, duke kërkuar nga autoritetet e Beogradit nënshkrimin e zgjedhjeve të të gjitha niveleve “në të gjitha mjediset serbe në territorin e Kosovës”.

Protestat nën sloganin “Duam zgjedhje, nuk duam dogana” janë organizuar nga Këshilli Kombëtar Serb i veriut të Kosovës dhe kanë kaluar pa ndonjë incident.

Kreu i këtij organi, Millan Ivanoviq, i ka porositur autoritetet në Beograd dhe bashkësinë ndërkombëtare se “serbët e Kosovës duan të mbesin dhe të jetojnë në shtetin e tyre - Serbinë”.

“Kjo është pjesë e luftës sonë, ashtu siç ka qenë edhe referendumi, edhe barrikadat, me të cilat kemi mbrojtur instalimin e institucioneve shqiptare dhe jetësimin e shtetit të pavarur të Kosovës në këtë pjesë”, ka thënë Ivanoviq.

Sipas tij, serbët e Kosovës duan t’i dërgojnë mesazh të qartë Beogradit se duhet të respektojë Kushtetutën e Serbisë dhe të nënshkruajë zgjedhjet në Kosovë, në mënyrë që serbët, siç ka thënë Ivanoviq, të fitojnë përfaqësuesit e tyre legjitimë dhe të forcojnë institucionet serbe.

“Pa mbajtjen e zgjedhjeve, qytetarët në Kosovë do të humbasin institucionet e tyre”, ka thënë Ivanoviq.

Në protesta raportohet të jenë parë parulla si: “Serbi, Rusi nuk na duhet Unioni”, “Borko në burg” dhe të ngjashme, ndërsa disa nga protestuesit kanë mbajtur edhe fotografinë e të akuzuarit të Hagës, Vojisllav Sheshel.

Ende nuk dihet nëse Serbia do t’i nënshkruajë zgjedhjet e saj lokale edhe në Kosovë. Ndonëse shteti serb i ka organizuar disa herë zgjedhjet e veta në territorin e Republikës së Kosovës, rezultatet e tyre nuk janë njohur as nga zyrtarët kosovarë, as nga ata ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG