Ndërlidhjet

Maqedoni: Fajësojnë institucionet


Flamuri i Maqedonisë
Flamuri i Maqedonisë
Ministria e Punëve të Brendshme ende nuk ka arritur të zbardhë rastin e ditës së martë, kur persona të panjohur sulmuan autobusin me nxënës shqiptarë në fshatin Lubograd të Kumanovës, të banuar kryesisht me popullatë serbe.

Nga sektori i punëve të brendshme në këtë qytet, thonë se janë duke punuar për identifikimin e autorëve të sulmit, nga i cili më rëndë pësuan dy vajza shqiptare të shkollës së mesme.

Ministria e brendshme thotë se situata në këtë rajon mbetet e qetë, ndërsa njofton për një incident më të vogël që ka ndodhur disa orë pas sulmit mbi autobusin.

Në fakt, sipas policisë, persona të panjohur në afërsi të fshatit Opajë të banuar me shqiptarë, kanë gjuajtur me gurë trenin që po qarkullonte në relacionin Shkup - Beograd, duke thyer vetëm disa xhama të një vagoni.

Ngjarjet e këtilla, e në veçanti sulmi mbi autobusin me nxënës shqiptarë, është dënuar ashpër nga drejtuesit e qytetit të Kumanovës, duke i ftuar banorët të ruajnë qetësinë dhe bashkëjetesën mes etniteteve të ndryshme në këtë qytet.

Kumanova në konfliktin e vitit 2001 ishte shembull i bashkëjetesës, paqes dhe tolerancës, andaj edhe tani bashkërisht do të kundërshtojmë çdo përpjekje për destabilizimin e situatës në këtë qytet”, ka deklaruar kryetari i këshillit komunal, Viktor Cvetkovski.

Për shkak të gjendjes së tensionuar në qytetet me popullatë të përzier etnike, janë anuluar disa aktivitete sportive, si masë për parandalimin e incidenteve ndëretnike.

Kjo është mirëpritur në opinion, por në të njëjtën kohë janë shfaqur edhe kritika në adresë të policisë, për mungesë të efikasitet në zbulimin e autorëve të incidenteve.

Zdravko Savevski, profesor universitar dhe njohës i çështjeve të sigurisë, thotë se institucionet duhet të ndërmarrin masa rigoroze në drejtim të kapjes së nxitësve të tensioneve dhe zbatimit të plotë të ligjit ndaj tyre.

Në Maqedoni, ekziston ligji për ndalimin e atyre që shkaktojnë incidente në ndeshjet sportive, që parashikon gjoba në para, por edhe dënime tjera më të rrepta për çdo person që brohoritë parulla nacionaliste, apo shkakton incidente tjera. Por, më duket se dikush sikur me qëllim nuk dëshiron të zbatojë ligjet, në mënyrë që persona të caktuar të mbajnë peng gjithë shoqërinë”, thotë Savevski.

Për punën jo të mirë të institucioneve, flet edhe Albert Musliu, analist dhe drejtues Qendrës për Iniciativa Demokratike.

Ai thotë se policia ka dështuar qysh në incidentin më të madh në Gostivar, me qasjen që pati ndaj policit maqedonas, që vrau dy shqiptarë për një “sherr banal”.

Duke iu referuar deklaratës së policit vrasës, zëdhënësi i ministrisë, Ivo Kotevski thotë se polici, aktin e kishte kryer në vetëmbrojtje, por ky prononcim ka shkaktuar reagime të shumta në opinion.

Unë mendoj se realisht jemi në një fazë të dështimit të institucioneve. Unë e di se për rastin e Gostivarit problem ishin institucionet, nuk ishte incidenti, ai ishte shkaku që institucionet të dështojnë që të tregojnë vetveten edhe kështu filloi shqetësimi te qytetarët”.

Unë jam i bindur se një pjesë e madhe e mllefit te të rinjtë shqiptarë është ndaj institucioneve. Ky mund të jetë shkak i humbjes së besimit, për shkak të shembujve të shumtë ku ne e shohim se institucionet nuk veprojnë në mënyrë barabartë ndaj të gjithë qytetarëve. Pra, janë shumë faktorë që ndikojnë, por realisht mllefi i të rinjve, por edhe i të moshuarve, është i drejtuar ndaj institucioneve”, thotë Musliu.

Incidentet ndëretnike kanë qenë shkak edhe për debate të shumta mes partive politike në konferenca për shtyp, apo në kuadër të trupave të Kuvendit të Maqedonisë.

Por, përveç akuzave dhe kundërakuzave, nuk është arritur të ketë asnjë konkluzion apo ide për dalje nga situata e krijuar.
XS
SM
MD
LG