Ndërlidhjet

Shou që ironizon iraniano-amerikanët


Ilustrim
Ilustrim
Po të pyesësh shumë amerikanë se çfarë u shkon në mend kur përmendet Irani, ata me siguri flasin për pengmarrjen e 1979-ës në Teheran.

Por, një shou televiziv në Los Angjeles do që ta zëvendësojë këtë pamje të zymtë me më të mira, si makina të shtrenjta, shampanjë, avionë privatë dhe pallate.

“Shahët e Perëndimit”, i emëruar si bulevardi ikonë i qytetit “Sunset”, flet për disa iraniano-amerikanë të pasur, prindërit e të cilëve kanë lënë Iranin pas revolucionit të 1979-ës.

Krijuesit e tij e përshkruajnë në këtë mënyrë: “Një grup i shokëve, të cilët janë të zjarrtë, por që u duhet të marrin miratimin e familjes dhe të martohen brenda komunitetit”. Janë një grup miqsh që kanë punuar shumë për atë që kanë.

Personaliteti kryesor është Gollneza Haraçedagi, një vajzë me një bukuri ekzotike, por me temperament të zjarrtë. Kjo princeshë klasike persiane drekon me shoqet e saj gjatë ditës, ndërsa kërkon princin e kaltër gjatë natës.

Majk Shouhed është pjesë e një mafie të vetemëruar, por edhe në kërkim të një gruaje që “do të mund t’ia çonte në shtëpi së ëmës”.

Raza Farahn është njëri nga homoseksualët e paktë persianë që e pranojnë hapur drejtimin e tyre seksual, por që lufton shpesh me thashetheme dhe paragjykime nga komuniteti i tij.

Mercedes Javid është vajza që vazhdimisht “zhgënjen nënën e saj persiane, me zakone dhe tradita”.

Deri më tash është transmetuar vetëm një episod, por klipet tregojnë se si këta miq bëjnë festa, pazare, pinë dhe mburren me pasurinë e tyre.

Nëse ti fluturon me linja komerciale në vend të avionëve privatë, atyre u vjen keq për ju. Nëse ju nuk jeni tërheqës, ata nuk ju duan në shoqëri”, tregon Gollneza me pak fjalë përmbajtjen.

Kush nuk do të kalonte një orë për t’i parë këta fëmijë çdo javë?

Iraniano-amerikanët e tjerë për shembull.

Ata, para shfaqjes së parë më 18 mars, kanë krijuar një grup kundër “Shahëve të Perëndimit” në Facebook, ashtu si edhe disa peticione kundër, duke akuzuar prodhuesit për promovimin e stereotipave racialë dhe për përshkrimin e iraniano-amerikanëve si karikatura.

Njëri nga peticionet bënte thirrje për të ndaluar shoun dhe të gjitha programet e ngjashme televizive që janë raciste.

Kjo shfaqje paraqet karikatura të iraniano-amerikanëve. Nuk është fare e këndshme. Është raciste”, ka shkruar një përdorues i Facebook-ut.

Për shkak të klimës aktuale politike ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe fraksioneve në Lindjen e Mesme, unë nuk mund të shoh të mirën e këtij shou”, ka shkruar një tjetër.

Të zemëruar nuk janë vetëm iraniano-amerikanët. Një peticion në ueb-faqen Change.org ka tërhequr tashmë 800 nënshkrime dhe lista përmban një numër të mirë emrash jopersianë.

“Nuk jam persian, por nuk jam dakord me këtë shfaqje. Mendoj se duhet të mësojmë të respektojmë të tjerët dhe kulturat e tyre”, ka shkruar njëri.

Zemërimi publik ka nxitur Majk Shouhedin të deklarojë para gazetarëve se kritikët janë thjesht “xhelozë”.

E gjithë ajo që po bëjmë është të tregojmë veten tonë. Njerëzit janë kureshtarë të mësojnë më shumë për kulturën e tjetrit, në vend se të asociojnë menjëherë në terrorizëm”, ka thënë ai.(v.t.)
XS
SM
MD
LG