Ndërlidhjet

Ngjarja që ka nxehur debatet për racizmin


Portreti i 17-vjeçarit Trajvon Martin.
Portreti i 17-vjeçarit Trajvon Martin.
Ishte nata e 26 shkurtit në Sanford të Floridës, kur Trajvon Martin kishte shkuar në dyqan për të blerë ëmbëlsira dhe çaj të ftohtë.

Afro-amerikani 17-vjeçar kthehej në shtëpi, kur 28-vjeçari Xhorxh Zimermen, i bardhë dhe hispanik, filloi ta njollosë atë si “një të dyshuar”.

Zimermen shëtiste në rrugë me makinën e tij dhe dukej se kërkonte telashe. Ai thirri shërbimet e emergjencës dhe ua përshkroi Martinin, i cili kishte veshur një xhup me kapuç kundër shiut, si “të dyshuar të vërtetë”.

Operatori: “Departamenti i policisë në Sanford”.

Zimermen: “Hej, kemi pasur disa grabitje në lagjen time dhe këtu është një njeri vërtet i dyshuar... Ky djalosh duket se është nën ndikimin e drogave. Po bie shi dhe ai vetëm po endet”.

Operatori: “E shihni se çka ka veshur”?

Zimermen: “Po, një xhup të errët, si ngjyrë hiri, xhinse dhe këpucë të bardha tenisi”.

Operatori i ka thënë Zimermenit të ndalojë nga ndjekja e Martinit - një urdhër ky që Zimermen e ka injoruar. Pak kohë më vonë, Martin është gjetur i vdekur, i qëlluar në kraharor nga Zimermen. Martin ka qenë i paarmatosur.

Të shtënat raciste kanë prodhuar një debat të nxehtë në Amerikë për racizmin.

Ajo çfarë ka ndodhur ndërmjet thirrjes së Zimermenit në polici dhe të shtënave fatale, tani është subjekt i hetimeve të Departamentit amerikan të Drejtësisë. Zimermen është marrë në paraburgim dhe në pyetje, por është liruar pasi ka thënë se ka vepruar në vetëmbrojtje.

Ky version i ngjarjes ka bindur policinë, por jo familjen dhe miqtë e Martinit, të cilët kërkojnë të dinë se përse një njeri i armatosur, i cili “ka vrarë një fëmijë që mbante një pako me ëmbëlsira”, nuk akuzohet për krim.
Po qe se Zimermen do të ishte me ngjyrë dhe Trajvon i bardhë, dikush do të ishte në burg, thonë ata.

Thirrjet e tyre për drejtësi kanë tërhequr vëmendjen e udhëheqësve me ngjyrë të të drejtave të njeriut, të cilët e kanë bërë rastin lajm kombëtar.

Thirrjet për drejtësi kanë kapërcyer shpejt linjat racore dhe, në ditët e fundit, mijëra amerikanë kanë mbushur rrugët nga Nju Jorku deri në Kaliforni, shumica nga ta të veshur me xhupa me kapuç, në mbështetje të viktimës.

Së fundmi, disa anëtarë të legjislaturës së shtetit të Nju Jorkut kanë veshur xhupa me kapuç në punë, ashtu si edhe disa anëtarë të Kongresit. Para se ta largonin nga Dhoma e Përfaqësuesve për shkelje të kodit të veshjes, kongresisti Bobi Rash, demokrat nga Çikago, ka deklaruar:

“Kur dikush vesh xhup me kapuç, ai nuk është huligan”.

Më 23 mars, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, ka thënë se po të kishte djalë, ai do të dukej si Trajvon.

“Unë vetëm mund të imagjinoj se në çfarë po kalojnë prindërit. Kur mendoj për këtë djalë, mendoj për fëmijët e mi. Duhet ta dijë secili prind në Amerikë që ne po hetojmë çdo aspekt të ngjarjes, për të kuptuar saktësisht se si ka ndodhur tragjedia”, ka thënë Obama.

Prindërit e Trajvon Martinit...
Prindërit e Trajvon Martinit...
Këtë javë, prindërit e Trajvonit janë shfaqur para Kongresit, në një seancë dëgjimore për çështjen.

“Dua të them faleminderit, faleminderit për mbështetjen! Siç e kam thënë edhe më herët, po e them prapë: Trajvon ishte djali ynë, por Trajvon është djali juaj. Shumë njerëz mund të lidhen me situatën tonë dhe ajo ua thyen zemrat ashtu siç e thyen timen”, ka thënë para ligjvënësve nëna e Trajvonit, Sibrina Fulton.

Përveç akuzave për racizëm dhe profilizim racor, rasti ka vënë në qendër të vëmendjes edhe ligjin e Floridës “Qëndro pranë tokës sate”, i cili ishte baza ligjore për lirimin e Zimermenit. Ligji u jep personave liri të madhe për të përdorur forcën vdekjeprurëse në vetëmbrojtje dhe jo tërheqjen.

Zimermen i ka thënë policisë se Martini e ka grushtuar atë, para se ky ta qëllonte në vetëmbrojtje. Avokati ka thënë se hunda e Zimermenit ishte e thyer, por incizimet në stacionin policor, pas të shtënave, nuk tregojnë shenja lëndimi apo gjak në fytyrën e tij.

Ka pasur thirrje të zëshme për shfuqizimin e ligjit, të cilin e kanë edhe 20 shtete të tjera. Gazetari i “Washington Post”-it, Eugen Robinson, e ka quajtur atë “licencë për të vrarë”, duke thënë se numri i të ashtuquajturave vrasje të justifikueshme në vend, është trefishuar që nga kalimi i ligjit në vitin 2005.(v.t.)
XS
SM
MD
LG