Ndërlidhjet

Të panjohur udhëheqësit e dialogut para-qasës


Ilustrim
Ilustrim
Emrat e ekspertëve, të cilët marrin pjesë në grupet punuese për të realizuar dialogun para-qasës mes Maqedonisë dhe Bashkimit Evropian, mbeten të panjohur për opinionin.

Zëvendëskryeministrja për çështje të integrimeve, Teuta Arifi, thotë se delegacioni nga Maqedonia nuk ka të caktuar udhëheqës të ekipit, ngase dialogu në nivel të lartë politik ka karakter politik. Arifi sqaron se në ekipet punuese janë të përfshirë 33 ekspertë që punojnë në kapitullin 23 dhe 24, të cilët në vete ngërthejnë përmbushjen e kritereve në dikasterin e Drejtësisë, Punëve të Brendshme, Administratën Publike, Diplomacinë, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, atë të Shëndetësisë, si dhe sektorin për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Ekspertët theksojnë se Maqedonia disponon me kapacitet të mjaftueshëm për të realizuar me sukses dialogun politik me Brukselin, por dyshojnë se përzgjedhja nuk do të bëhet mbi parimin e respektimit të vlerave, por do të merren njerëz partiakë.

“Unë dyshoj se në mënyrë transparente do të formohen ekipet, duke përshirë më të mirët në sektorë të caktuar. Nuk e di a do të jenë njerëz të VMRO DPMNE-së apo BDI-së, si pjesë përbërëse të Qeverisë. Në fakt, për të qenë e sinqertë unë nuk mendoj se zëvendëskryeministrja Teuta Arifi do të favorizojë ushtarët partiakë nga partia e saj. Por, çështje krejtësisht tjetër është nëse kryeministri Gruevski do t`ia lë ose jo, duart e lira për të realizuar me sukses këtë detyrë”, thotë Lidija Dimova, drejtuese e Qendrës për Studime Evropiane.

Nga ana tjetër, Hasan Jashari, sociolog, vlerëson se inkorporimi i politikës edhe në çështjet madhore me interes shtetërorë siç është procesi i integrimit flet për papjekurinë e elitës politike.

“Kjo është dobësi e politikës, kjo paraqet dobësi të elitave politike, do të thotë që atyre u rrëshqasin gjërat nga duart dhe ata nuk reagojnë në kohë nuk shohin më larg, pavarësisht se çështja e integrimit dhe gjithçka që ka të bëjë me këtë proces, është interes shtetëror dhe jo vetëm i partive politike në pushtet”, vlerëson Hasan Jashari, ligjërues në Fakultetin e Administratës Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ndërkohë, drejtuesja e Qendrës për Studime Evropiane, Lidija Dimova, kujton se para tre vjetësh, kur ka kërkuar t’i jepen emrat e grupeve punuese të angazhuar në programin nacional për çështje të integrimeve rreth harmonizimit të legjislacionit, ka zbuluar se një person i njëjtë është shfaqur në më shumë sektorë, derisa sektori civil pothuajse fare nuk ka qenë i përfshirë. Kurse, më tragjik ka qenë fakti se një pjesë e tyre as që e kanë ditur se janë pjesë e ndonjë grupi punues.

“As më pak, as më shumë, por gjysma e atyre që i kontaktuam, nuk ishin fare në dijeni se janë përfshirë në ekipe punuese. Thjesht, përfaqësuesit e Qeverisë i kanë vendosur në lista pa i pyetur, informuar”, thotë Dimova.

Ajo dyshon se në ekipet punuese do të përfshihen personat kompetentë, të cilët e njohin mirë punën e sektorëve të caktuar dhe me sinqeritet do të detektojnë ngecjet, që realisht pengojnë realizimin e reformave që kërkohen nga komuniteti ndërkombëtar.

Ndryshe, gjatë fazës së parë të dialogut para-qasës me Brukselin, ekspertët evropianë prezantojnë të drejtën e Bashkimit Evropian, përfaqësuesve të Maqedonisë, Serbisë dhe Malit të Zi.

Ekipet punuese të vendeve përkatëse kanë për detyrë të përgatisin raport për harmonizimin e legjislacionit të këtyre vendeve me atë të BE-së, sa i përket sistemit gjyqësor, të drejtave themelore të njeriut, sigurisë dhe lirisë së shprehjes, si dhe kapaciteteve të institucioneve për t`i implementuar të njëjtat.

Për dallim nga Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi kanë publikuar në opinion, emrat e udhëheqësve të grupeve punuese të angazhuara për realizimin e dialogut teknik.
XS
SM
MD
LG