Ndërlidhjet

Shkup: Fronti opozitar për interesa partiake?


Maqedoni (Foto nga arkivi)
Maqedoni (Foto nga arkivi)
Politikologu maqedonas, Zdravko Savevski, konsideron se formimi i një fronti opozitar mund të paraqesë një shtytje për t`i hapur rrugë procesit të integrimit, megjithëse konsideron se partia, e cila inicion këtë nismë, rrezikon të marrë më pak vota në zgjedhjet e ardhshme.

“Një pjesë e votuesve të LSDM-së , do të mund të humbë simpatinë nëse e njëjta koalicionon me parti më të vogla me orientim krejtësisht ndryshe dhe për të cilën kanë qëndrim negativ”, konsideron Savevski.

Ai thekson se “opozita duhet të ndjekë hap pas hapi gabimet e mazhorancës”. Por, siç shprehet ai , forca e partive politike në opozitë është aq e dobët, sa që nuk mund t`i kundërvihet asnjë veprimi të Qeverisë , e jo më të ofrojë alternativa konkrete për daljen e Maqedonisë, si nga kriza ekonomike, ashtu dhe ajo diplomatike, si pasojë e mospërfilljes së sugjerimeve nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht nga ana e partisë maqedonase në pushtet, VMRO DPMNE, e udhëhequr nga kryeministri Nikolla Gruevski.

“Nëse opozita dëshiron që, vërtet të rrisë influencën, si tek elektorati, ashtu dhe te zhvillimet në vend, duhet të reformohet tërësisht, duke anashkaluar interesat e ngushta të një pjese të kryesisë së partisë, njëherësh të heqë dorë nga avazi i vjetër ku vetëm kritikohet një çështje ose veprim i caktuar, por pa pasur ide konkrete si mund të zgjidhet e njëjta gjë”, vlerëson Savevski.

Nga ana tjetër, Albert Musliu, nga Qendra për zhvillime demokratike, ADI, vlerëson se opozita nuk arrin të unifikohet për çështje me interes shtetërorë siç është procesi i integrimit, megjithatë siç thekson ai, kur bëhet fjalë për zgjedhjet dhe mundësia për të marrë sa më shumë vota, lehtësisht arrihet kompromis edhe mes partive që kan dallime për çështje të caktuara.

“Koalicionet fillimisht lidhen për shkak të ndonjë interesi të përbashkët. Këtu, interes i partive opozitare është ndërrimi i Qeverisë dhe fitorja në zgjedhje e ardhshme lokale. Ndërsa, çështje krejtësisht tjetër është forma apo më mirë thënë si do të jetë mënyra e koalicionimit mes tyre. Ka koalicione me lista të përbashkëta, ose me lista të ndara, po front të përbashkët. Në këtë drejtim, unë mendoj se ndonjë mundësi e koalicionit me lista të përbashkëta të të gjitha subjekteve politike opozitare nuk është e mundur, për shkak të klimës së krijuar politike dhe vetëdijes së ulët. Po, gjithsesi, ajo që besoj se mund të ndodhë, është bashkëveprimi i opozitës për të kanalizuar votat në favor të saj”, thotë Musliu.

Ndryshe, lideri i partisë më të madhe maqedonase në opozitë, LSDM, Branko Cërvenkovski, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ditë më parë, ka paralajmëuar unifikimin e opozitës për të parandaluar, siç shprehet ai, politikat katastrofale të Qeverisë aktuale.

Sipas Cërvenkovskit tani është momenti që kjo të ndodhë, duke e lënë të hapur mundësinë që bllokut opozitar t’i bashkëngjiten edhe partitë politike shqiptare në opozitë.

Ndërkohë, lideri i PDSH-së në opozitë, Menduh Thaçi, apriori nuk e ka përjashtuar mundësinë e unifikimit të opozitës, por është shprehur me tone pesimiste nëse kjo do të kishte rezultate konkrete, në radhë të parë, për shkak të dallimeve esenciale ndërmjet këtyre dy partive për çështje të ndryshme.

“Besoj që ne do t’i përgjigjemi pozitivisht çdo ftese për bisedë dhe dialog edhe opozitës maqedonase, megjithëse ne kemi dallime shumë të mëdha në koncept, opozita shqiptare dhe ajo maqedonase. Nuk jam optimist se për diçka do të merremi vesh. Nuk dua askënd ta vlerësoj për politikën e vet, po dua të jap një porosi nga PDSH-ja , ne asnjëherë nuk do të bëhemi BDI, PPD, forcë politike e cila, i nënshtrohet konceptit maqedonas”, shprehet Thaçi.
XS
SM
MD
LG