Ndërlidhjet

Reformat në administratë, s'do të ketë shkurtime


Shkup...
Shkup...
Administrata në Maqedoni nuk do të shkurtohet përkundër kritikave të shumta për stërngarkimin e saj, politizimin dhe shërbimet e dobëta që ofron për qytetarët.

Ministri i shoqërisë informatike dhe administratës publike, Ivo Ivanovski, për herë të parë dha një shifër të përgjithshme për numrin e të punësuarve të administratës, e që sipas tij, arrin në 118 mijë.

Por, ai këtë numër e ndanë në disa kategori, pas disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, e cila, ka ndarë nga kategoria e administratës të punësuarit në shëndetësi, kulturë, ndërmarrjet komunale, pastaj ndërmarrjet e qytetit të Shkupit e kështu me radhë.

Në administratën shtetërore punojnë 14 mijë e 800 të punësuar, kurse në administratën publike, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për sektorë të caktuar, ka mbetur një numër më i vogël i të punësuarve, që sillet në rreth 11 mijë persona. Por, për hir të së vërtetës, më duhet të them se numri i përgjithshëm i të punësuarve është 118 mijë. Sa i përket shkurtimeve, ato nuk do të ndodhin, pra asnjë nuk do të largohet nga puna, pasi do të ketë shpërndarje të të punësuarve nëpër institucione të reja ”, thotë Ivanovski, duke mos dhënë një pasqyrë sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, pasi sipas tij, këtë nuk e ka obligim ligjor.

Ai thotë se të dhënat mbi numrin e administratës nuk ndikojnë në procesin që po zhvillohet për profesionalizmin e saj, dhe se me ndryshimet e propozuara në dialogun e grupit punues në ligjin për administratë, do të dëshmohet para Komisionit Evropian vendosmëria për të përmbushur të gjitha kriteret e kërkuara.

Për dallim nga Ivanovski, BDI-ja, që është pjesë e qeverisë, një ditë më parë doli me të dhëna që sipas saj janë shumë të favorshme për shqiptarët, pasi përqindja e tyre sillet prej 17 e deri në 50 për qind në disa prej ministrive.

Ndërkohë, nga opozita maqedonase thonë se numri prej 118 mijë të punësuarve në administratë, vetëm sa konfirmon pohimet e LSDM-së për stërngarimin e saj me të punësuar partiak.

Kjo vetëm i vërteton pohimet që ne i themi tani një kohë të gjatë, se gjatë këtyre gjashtë vjetëve, administrata është fryrë në përmasa enorme me ushtarë partiak. Kjo dëmton qytetarët, dëmton ekonominë, kjo vetëm sa pasqyron politikën e kësaj partie, e cila mban llogari vetëm sa për ‘rejtingun’ e saj e për asgjë tjetër”, thotë Andrej Petrov nga LSDM-ja.

Nga ana tjetër, Albert Musliu, analist politik, thotë se një numër kaq i madh i administratës publike, detyrimisht lë për të menduar mbi rolin e tyre që mund të kenë në ciklet e ndryshme zgjedhore dhe në prononcimet se nuk do të ketë shkurtim të të punësuarve.

Sistemi i administratës është aq partiak sa që një numër i madh i administratës, e veçanërisht i asaj që është punësuar viteve të fundit përmes qëndrimeve politike, partiake, me shpërblime partiake, dhe tani ajo është një trup votues aq i madh sa që çdo qeveri, si kjo e tanishmja, apo ajo e ardhshmja, do të duhet të llogarisë edhe në votat e tyre, pasi numri është aq i madh saqë nuk mund të anashkalohen edhe në procesin e vendosjes politike”, thotë Musliu.
XS
SM
MD
LG