Ndërlidhjet

Ambasada amerikane në Shkup apelon për qetësi


Ilustrim
Ilustrim
Ambasada Shteteve të Bashkuara në Maqedoni ka shprehur keqardhje për vrasjen e pesë personave në afërsi të Shkupit, ndërsa nga të gjitha palët ka kërkuar ruajtje të qetësisë dhe përmbajtje nga spekulimet dhe pohimet e pavërtetuara.

“Jemi në dijeni se autoritetet kanë filluar hetime për incidentin dhe gjetjen e autorit apo autorëve të kësaj vepre të tmerrshme. Mbështesim përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vazhduar hetimin dhe procedurat ligjore në kohë të duhur. Gjithashtu mbështesim kërkesën për bashkëpunim nga qytetarët në mënyrë që të mblidhen të gjitha të dhënat për vrasjet”, thuhet në kumtesën e Ambasadës amerikane në Shkup.

Për vrasjen e pesëfishtë është biseduar edhe në një takim që ambasadori amerikan, Poll Uollers, ka pasur të enjten me kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

“Bashkëbiseduesit u dakorduan se institucionet e vendit duhet të jenë aktive edhe në menaxhimin e situatës, por edhe në hetimin dhe zbardhjen e menjëhershme të krimit. Qytetarët, mediat dhe të gjithë opinionbërësit gjithashtu duhet të japin kontributin e tyre, duke mos paragjykuar motivet për këtë krim”, thuhet në kumtesën e BDI-së, të publikuar pas takimit Uollers-Ahmeti.

Incidenti është dënuar edhe nga Partia Demokratike Shqiptare, e cila ka apeluar te të gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e spekulimeve dhe provokimeve të ndryshme.

“Kërkojmë nga organet e drejtësisë që sa më shpejt të zbardhin rastin në fjalë dhe autorët të vihen para përgjegjësisë”, thuhet në reagimin e PDSH-së.

Në afërsi të një liqeni artificial në fshatin Smillkovë të Shkupit, janë gjetur të vrarë pesë persona të etnitetit maqedonas.
XS
SM
MD
LG